Artisti dhe skulptori nga Gjilani, Avni Behluli, ka shënuar një sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, duke marrë pjesë në simpoziumin ndërkombëtar të artit “Nektari i ngjyrave” në Aman të Jordanisë.
Gjatë këtij aktiviteti prestižioz, një nga veprat e Behlulit është regjistruar zyrtarisht në fondin e Ministrisë së Kulturës në Jordani, ndërsa disa punime të tjera u bënë pjesë e fondit të organizatorëve të simpoziumit.
Përmes një postimi, Behluli ka ndarë pamje nga ekspozita, duke shprehur kënaqësinë për këtë vlerësim institucional.
“Po ju shpërfaq disa pamje nga ekspozita e mbajtur gjatë simpoziumit ndërkombëtar ‘Nektari i ngjyrave’ në Aman, Jordani. Me këtë rast edhe një vepër imja u regjistrua në fondin e Ministrisë së Kulturës dhe disa të tjera te organizatori i simpoziumit,” ka deklaruar ai.
Ky vlerësim dëshmon edhe një herë suksesin e artistëve kosovarë në skenën ndërkombëtare.
