Kush kujdesej për kokat, fytyrën dhe pamjen e njerëzve
Një historik për berberët e Gjilanit
Nga historia e zejtarisë gjilanase, madje edhe sot thuhet: “Kush ka kokë, duhet të shkojë patjetër te berberi”.
Berber quhet mjeshtri që qeth flokët dhe rruan fytyrën. Zeja e berberëve është një mjeshtëri shërbimi shumë e vjetër dhe mjaft e zhvilluar edhe në Gjilan.
Shpesh kjo zeje është trashëguar ndër breza deri në ditët tona, siç ishte rasti me familjen e Mulla Sherifëve, familjen Ismajli, familjen Sylqevci e disa të tjera, nga të cilat dolën një numër i madh punëtorësh të kësaj mjeshtërie.
Qendrat e para të informacionit dhe “sekreteve”
Nisur nga natyra e punës në dyqanet e berberëve, e veçanërisht më vonë në kooperativën e zejtarëve në Gjilan, aty gjithnjë janë zhvilluar biseda nga më të ndryshmet.
Këto dyqane shërbenin si hapësira ku me kureshtje flitej për zhvillimet e jetës, problemet e përditshme dhe ngjarjet apo ndodhitë e ndryshme politike, ekonomike e sportive.
Berberët kanë qenë ndër njerëzit më të informuar në qytet. Tek ta secili linte nga një fjalë, e madje edhe sekrete nga më të ndryshmet. Për berberët ekzistojnë edhe disa thënie e mezonja popullore.
Kur dikush ankohej se nuk ishte qethur mirë, shoku e tallte me shprehjen: “Sipas kokës edhe qethja”, ndërsa një tjetër shtoje: “Sipas xhepit edhe sajdisja”.
Gëzhoja e mençurisë popullore
Në kohët e kaluara pyetej shpesh nga pleqtë: “Cili prej njerëzve e ka kapur mbretin për hunde, për veshësh dhe i ka vendosur briskun në fyt?”
Duhej të ishe shumë i mençur për ta gjetur përgjigjen, e ajo ishte vetëm një: Berberi!
Sepse kur ia rregullon mustaqet mbretit e kap për hunde, kur ia rregullon zylyfet e kap për veshë, dhe kur ia heq mjekrën, i vë briskun në fyt.
Parashikimi i pleqve dhe zhdukja e tabahanëve
Pleqtë e moçëm kanë thënë dikur se do të vijë koha kur “më shumë do të ketë gra në berberhane sesa burra në tabahane” (vendi ku përpunohej lëkura).
Dhe me të vërtetë, sot nuk ka më burra në tabahane sepse kjo zeje është zhdukur, kurse dyqanet e ondulimit dhe sallonet e bukurisë për femra mbushën për çdo ditë.
Më shumë nga historia e Gjilanit…
Në Gjilan ka pasur berberë sigurisht që nga themelimi i tij si qytet. Por se kush ishin berberët e Gjilanit në kohërat e hershme, ku i kishin dyqanet e tyre, sa berberë vepronin dhe me çfarë merreshin ata përveç qethjes e rrojës (pasi shpesh kryenin edhe shërbime shëndetësore primare), mund t’i mësoni me detaje në librin “Zejtaria e Gjilanit” nga autorët Aliriza Selmani dhe Faik Zayzade.
