Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka njoftuar nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të bashkëpunimit me 12 biznese lokale, me qëllim punësimin e 13 qytetarëve me aftësi të kufizuara.
Ky projekt, i realizuar nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, mbështetet financiarisht nga komuna me një shumë prej rreth 40 mijë eurosh.
Sipas kryetarit Hyseni, kjo nismë përfaqëson vazhdimësinë e politikave sociale lokale për krijimin e mundësive të barabarta në tregun e punës dhe integrimin e plotë ekonomik të kësaj kategorie shoqërore.
Ai vlerësoi lart përgjegjësinë shoqërore të bizneseve participante, duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet sektorit privat, pushtetit lokal dhe atij qendror përbën bazën për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe të drejtë.
