Asamblisti më i ri i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Andi Shkodra, ka marrë zyrtarisht detyrën e tij pas betimit të bërë në seancën e Kuvendit.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Shkodra e ka cilësuar këtë moment si një kapitull të ri në angazhimin e tij publik, duke shprehur mirënjohje për besimin e marrë nga qytetarët.
”Në jetë janë disa momente që mbeten përgjithmonë në kujtesë, e sot ishte pikërisht një nga këto momente. Sot filloi zyrtarisht një kapitull i ri i angazhimit tim publik, ku bëra betimin si anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit, një nder i madh dhe një përgjegjësi edhe më e madhe për mua,” është shprehur ai.
Ai ka falënderuar të gjithë mbështetësit që e shoqëruan gjatë fushatës së tij të parë zgjedhore, duke premtuar përfaqësim të denjë dhe punë me ndershmëri në interes të qytetarëve gjilanas.
”Me përulësi dhe me respekt shumë të madh falënderoj secilin që më ka mbështetur dhe që ishte pjesë e rrugëtimit tim në fushatën time të parë si kandidat. Premtimi im është i thjeshtë: të jem gjithmonë pranë qytetarëve, të dëgjoj, të veproj dhe të punoj me ndershmëri për të mirën e Gjilanit, e me këtë bindje të jem përfaqësues i interesit qytetar. Faleminderit për besimin e dhënë. Më e mira është përpara, andaj rruga sapo ka filluar,” ka përfunduar Shkodra.
