INFRASTRUKTURË/​Projekti i Bulevardit dhe Administratës Komunale kalon në fazën e re të punimeve

Projekti më i madh i transformimit urban në historinë e Gjilanit, ai i Bulevardit dhe Administratës së re Komunale, ka kaluar zyrtarisht në fazën më intensive të ndërtimit në terren.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Urbanizmit në Komunën e Gjilanit, Flakron Rexhepi.

​Pas përfundimit të ndërhyrjeve të para infrastrukturore dhe përgatitjes së plotë të brezit qendror, punimet po vijojnë me një dinamikë të jashtëzakonshme.

Drejtoria e Urbanizmit ka përmbyllur të gjitha koordinimet e nevojshme administrative dhe teknike për të garantuar që projekti integral të zhvillohet sipas planifikimeve dinamike.

​Ky investim kapital kap shifrën e rreth 18 milionë eurove dhe synon t’i japë Gjilanit një pamje moderne evropiane, duke përfshirë hapësira të gjelbra, parkingje nëntokësore dhe infrastrukturë të standardeve më të alta.

​Përmes një deklarate për mediat, drejtori Flakron Rexhepi ka falënderuar ekipin profesional të drejtorisë për menaxhimin e këtij procesi kompleks, ndërsa u shpreh i prerë përballë kritikave politike.

Përkundër tentativave të vazhdueshme politike për të krijuar zhurmë artificiale, përgjigja jonë mbetet e njëjtë: punë e pandalshme, standarde të larta dhe vendosmëri për të realizuar projektin që qytetarët e Gjilanit e kanë pritur me dekada,” u shpreh Rexhepi.

​Sipas tij, punët po vazhdojnë me përgjegjësi dhe përkushtim të plotë drejt finalizimit të këtij projekti që do të ndryshojë rrënjësisht pamjen e qytetit.

Shpërndaj me të tjerët