KRONIKË/ Portofoli i gjetur i kthehet pronarit

Dorëzon në Polici portofolin me dokumente dhe para të gjetura, pronarit i kthehen të gjitha sendet

Një qytetar ka treguar shembull të ndershmërisë duke dorëzuar në Policinë e Kosovës një portofol të gjetur me dokumente personale, karta bankare dhe para të gatshme.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, më 6 gusht 2026, në Stacionin Policor në Viti është paraqitur B. Haziri, i cili ka dorëzuar një portofol që e kishte gjetur.

Pas pranimit të portofolit, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme, duke verifikuar dokumentacionin dhe identifikuar pronarin legjitim.

Më pas, atij i janë kthyer të gjitha dokumentet, kartat bankare dhe paratë që ndodheshin në portofol.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka falënderuar qytetarin për veprimin e tij, duke vlerësuar se raste të tilla dëshmojnë besimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet qytetarëve dhe Policisë së Kosovës, në funksion të rritjes së sigurisë dhe mirëqenies në komunitet.

Shpërndaj me të tjerët