SIGURI/ Gjilani nis formimin e grupeve vullnetare për mbrojtje dhe shpëtim nga fatkeqësitë natyrore

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjilan, në bashkëpunim me Shoqatën e Pensionistëve të TMK/FSK-së dhe Simpatizantëve “ELITA”, ka organizuar një takim me kryetarët e këshillave të lagjeve e fshatrave, si dhe me përfaqësues të shoqatave të gjuetarëve dhe alpinistëve të kësaj komune.

​Qëllimi i takimit ishte nisja e procesit për formimin e grupeve vullnetare për Mbrojtje dhe Shpëtim nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë e Tjera në lokalitete të ndryshme të Gjilanit.

​Gjatë këtij takimi u diskutua mbi rëndësinë e organizimit dhe koordinimit të komunitetit lokal në rastet emergjente, si dhe për nevojën e përfshirjes së qytetarëve në struktura vullnetare që ndihmojnë në parandalimin, reagimin dhe menaxhimin e situatave të krizës.

​Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Enver Shabani, përgëzoi gatishmërinë e pjesëmarrësve për të qenë pjesë aktive e këtij procesi, duke theksuar se bashkëpunimi mes institucioneve dhe komunitetit është kyç për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjes së qytetarëve.

​Në fund të takimit, palët u dakorduan që bashkëpunimi të vazhdojë edhe në fazat e ardhshme përmes organizimit dhe trajnimit të grupeve vullnetare, me qëllim krijimin e një rrjeti funksional dhe të qëndrueshëm në të gjithë territorin e Komunës së Gjilanit.

Shpërndaj me të tjerët