Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, Mimoza Kadriu, ka pritur në një takim pune këshilltarët e ministrisë, Petrit Sopjani dhe Liridon Llozani, për të diskutuar lidhur me sfidat, nevojat dhe prioritetet e Qendrës për Punë Sociale (QPS).
Gjatë këtij takimi konstruktiv u shqyrtuan mundësitë konkrete për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror.
Në fokus të diskutimeve ishin forcimi i kapaciteteve të QPS-së, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe familjet në nevojë, si dhe krijimi i mekanizmave më efikasë për trajtimin e rasteve.
Palët i kushtuan vëmendje të veçantë edhe pozitës së punëtorit social dhe sfidave me të cilat përballen në terren, duke përfshirë ngarkesën e lartë të rasteve dhe mungesën e resurseve.
U theksua nevoja e domosdoshme për mbështetje më të madhe institucionale, përmirësim të kushteve të punës, avancim profesional dhe krijim të pozicioneve të qëndrueshme për tyre.
Në fund të takimit, u dakordua që koordinimi dhe bashkëpunimi institucional të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim të adresimit të sfidave të identifikuara dhe ndërtimit të një sistemi social më funksional dhe më pranë qytetarit.
