Sa herë që shkrepat e parë të diellit ndriçojnë malet e Stanishorit, Ali Latifaj është tashmë në këmbë.
Çdo mëngjes, nga ora 06:00 deri në 08:00, 79-vjeçari nga Gjilani ndjek të njëjtën rutinë që e ka nisur menjëherë pas luftës: ecjen në ajrin e pastër të natyrës. Mirëpo, për të, ky nuk është thjesht një aktivitet personal shëndetësor.
Që nga viti 2014, Baci Ali, siç e thërrasin të gjithë me respekt, ka rregulluar me duart e veta një shteg malor me gjatësi prej 2.5 kilometrash.
Çdo ditë, përgjatë ecjes së tij, ai përkujdeset që ky shteg të jetë i kalueshëm dhe i sigurt për të gjithë vizitorët, duke larguar me përkushtim gurët, degët apo drunjtë e rënë.
Pasioni i tij për natyrën shkon përtej mirëmbajtjes bazë. Në këtë zonë pitoreske malore, ai ka punuar dhe vendosur tavolina e ulëse druri për t’u mundësuar pushuesve një hapësirë komode relaksi.
Një detaj i veçantë që e bën këtë shteg unik është edhe “biblioteka në mal”, një ide kreative e realizuar prej tij për t’u ofruar adhuruesve të natyrës edhe kënaqësinë e leximit në ambient të hapur.
Sidoqoftë, ajo që e shqetëson më së shumti 79-vjeçarin është pakujdesia e disa vizitorëve.
Baci Ali apelon vazhdimisht te qytetarët që ta duan e ta ruajnë natyrën, e mbi të gjitha të mos lënë pas mbeturinat pasi të largohen nga vendqëndrimet.
Me vullnetin e tij të palodhshëm dhe përkushtimin shembullor, Ali Latifaj mbetet një model frymëzimi për të gjithë komunitetin, duke dëshmuar se dashuria për vendlindjen dhe natyrën tregohet me vepra konkrete çdo ditë.
