Në kuadër të dëgjimeve buxhetore të organizuara nga Komuna e Gjilanit për lagjet Arbëria dhe Zabel, si dhe për fshatrat Velekincë, Lipovicë, Muçibabë e Burincë, asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, Fadil Ademi, ka paraqitur para banorëve dhe përfaqësuesve komunalë kërkesat kryesore për zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës në fshatin Velekincë.
Duke vënë në pah nevojat e ngutshme të banorëve, Ademi ka integruar në fjalën e tij disa çështje prioritare që kërkojnë vëmendje dhe investime konkrete nga ana e komunës dhe nivelit qendror.
Fillimisht, ai ripërsëriti kërkesën e dorëzuar që në muajin shkurt për asfaltimin e rreth 6 kilometrave rrugica publike dhe private në Velekincë.
Për shkak të kostos së lartë të këtij projekti, asambleisti theksoi nevojën që financimi të sigurohet përmes ministrisë përkatëse.
Një tjetër problematikë madhore e ngritur ishte zgjidhja urgjente e problemit të ujëmbledhësit nga “Biti Com” deri te shkolla.
Kjo çështje, e cila ka mbetur e pazgjidhur për më shumë se 25 vite, u kërkua të trajtohet dhe të gjejë zgjidhje në kuadër të projektit të asfaltimit të rrugës nga ETC-ja deri në Velekincë.
Po ashtu, Ademi e cilësoi si nevojë të domosdoshme ndërtimin e një çerdheje për fëmijët dhe familjet e reja të fshatit, duke kërkuar që ky projekt të jetë pjesë e prioriteteve të afërta për investime.
Gjatë këtij dëgjimi buxhetor nuk mbeti pa u përmendur as aspekti mjedisor dhe ai i sigurisë.
U kërkua pastrimi i deponive ilegale të mbeturinave pranë tregut të kafshëve dhe ndërmarrja e masave konkrete që ato të mos krijohen përsëri.
Ndërkaq, për të garantuar siguri më të madhe për këmbësorët dhe të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, u kërkua vendosja e pengesave të shpejtësisë përgjatë rrugës së Kumanovës.
Në këtë takim, krahas kërkesave të ngritura nga Ademi, kontribut dhanë edhe asambleistja e Velekincës, Lirese Kosumi Ibrahimi, si dhe kryetari i Këshillit të Fshatit, duke përcjellë shqetësimet shtesë të banorëve lokalë.
Në fund, asambleisti ka falënderuar të gjithë banorët për pjesëmarrjen dhe idetë e ndara, duke ritheksuar zotimin e tij se do të mbetet një zë i fuqishëm i qytetarëve, me qëllimin e përbashkët që këto kërkesa të marrin zgjidhjen e merituar për një Velekincë më të zhvilluar.
