Në fshatin Bresalc të Komunës së Gjilanit është mbajtur për herë të parë takimi familjar i familjes Selimi.
Ky aktivitet mblodhi pjestarë e kushërinj të gjeneratave të ndryshme, shumë prej të cilëve u takuan për herë të parë pasi jetojnë e veprojnë në vende të ndryshme të botës.
Pjesë qendrore e këtij takimi ishte edhe promovimi i librit monografik kushtuar familjes Selimi nga Bresalci, me autorë Prof. Emin Selimin dhe Dr. Fatmir Selimin. Libri trajton historikun e kësaj familjeje, e cila sipas të dhënave gojore llogaritet të jetë vendosur në Bresalc rreth vitit 1667 me prejardhje nga Vlora, si dhe sjell biografi të anëtarëve të saj ndër gjenerata.
Moderatori i ngjarjes dhe kryetari i Këshillit Organizativ, Dr. Musa Selimi, së bashku me autorët e librit, falënderuan të pranishmit për pjesëmarrjen.
Me këtë rast u njoftua se ky takim familjar synohet të shndërrohet në tradicional dhe do të organizohet çdo vit në fillim të muajit gusht.
