Sulmuesi i Dritës, Kristal Abazaj, ka dalë në një deklaratë për mediat në prag të ndeshjes së nesërme kundër Llapit, ku ka shprehur optimizmin e tij për këtë sfidë të rëndësishme.
Abazaj nënvizoi se ardhja e trajnerit të ri ka sjellë një energji pozitive te skuadra, duke e cilësuar si një kthesë të rëndësishme për vazhdimësinë e kampionatit. Sipas tij, grupi është i bashkuar dhe secili futbollist e ndjen veten të vlefshëm për objektivat e klubit.
”Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe ndryshimet po ndodhin për të mirën e të gjithëve. Trajneri i ri ka sjellë një frymë të re ku gjithsecilës i jepet hapësira dhe vlerësimi i duhur,” tha Abazaj.
Sa i përket përballjes me Llapin, sulmuesi u shpreh i bindur se skuadra do të hyjë në fushë vetëm për pikët e plota:
”Shpresojmë dhe besojmë se do të japim maksimumin për të marrë më të mirën nga kjo sfidë. Do të futemi në fushë me përkushtim të plotë për të arritur fitoren,” përfundoi ai.
