Kryetrajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka folur para mediave në prag të ndeshjes së radhës, duke nënvizuar rëndësinë e përqendrimit dhe disiplinës për të marrë rezultatin e dëshiruar.
Nuhiu vlerësoi lart kundërshtarin, duke theksuar se përballet me një ekip që ka pësuar ndryshime të shumta, por siguroi se skuadra e tij është e fokusuar te forca e saj grupore.
”Na pret një ndeshje e vështirë. Duhet të jemi me përqendrim maksimal, disiplinë taktike dhe angazhim të pashoq në fushë. Ne kërkojmë që në çdo ndeshje të marrim maksimumin, gjithmonë duke e analizuar me kujdes kundërshtarin,” u shpreh Nuhiu.
Tekniku i bardhekaltërve ia faturoi meritën kryesore vetë futbollistëve, ndërsa shprehu besim të plotë te kualiteti i grupit që drejton:
”Më meritorët janë futbollistët, të cilët duhet të zbatojnë detyrat dhe të japin maksimumin. Skuadra kundërshtare ka ndryshuar shumë, por ne do të mbështetemi te potenciali ynë. Kemi brumë të mirë dhe potenciali i këtij grupi është mjaft i lartë,” përfundoi ai.
