Piktori i njohur me përmasa ndërkombëtare, Jetullah Haliti – Eti, do të jetë pjesëmarrës në ekspozitën kolektive të artistëve ndërkombëtarë, e cila do të mbahet në Galerinë “Manoir” në qytetin Martigny të Zvicrës.
Kjo ekspozitë organizohet në kuadër të shënimit të 150-vjetorit të themelimit të kësaj galerie me traditë.
Piktori gjilanas bëri të ditur se në këtë ngjarje të rëndësishme artistike do të prezantohet me punimin nga cikli “Embrioni i shtatzënisë”, realizim ky që i takon stilit të tij të veçantë “Profondist”.
”Në këtë ekspozitë marr pjesë me punimin nga cikli ‘Embrioni i shtatzënisë’, i cili i takon stilit ‘Profondist’ Eti. Ky stil është më i njohur dhe i vlerësuar në Zvicër e Evropë sesa në Kosovë”, deklaroi Jetullah Haliti.
Vepra është realizuar në vitin 2024, me teknikë të kombinuar dhe me dimensione 51×51 cm.
Ekspozita do të hapet më 23 tetor dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 15 janar 2027, në Galerinë “Manoir” në Martigny të kantonit Valais.
Piktori i shquar Jetullah Haliti – Eti ka bërë të ditur po ashtu se gjatë këtij viti do të prezantojë krijimtarinë e tij artistike edhe në disa ekspozita të tjera personale dhe kolektive në vend e në botë.
