Nga bankat e shkollës në Hogosht e deri te sukseset në rrafshin kombëtar e ndërkombëtar, figura e Selim Mujës mbetet një nga shembujt më frymëzues të arsimit fizik dhe futbollit anamoravas.
Sot, ky personalitet i shquar feston 73-vjetorin e lindjes, duke marrë urimet më të ngrohta nga breza të tërë nxënësish, sportistësh e bashkëqytetarësh.
Si mësimdhënës, ai u shqua gjithmonë për përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm, qëndrimin dinjitoz, punën e palodhur me vullnet e elan të pashtershëm, si dhe për nderin e moralin e lartë njerëzor. Këto virtute e kanë bërë atë një figurë shumë të respektuar në gjithë rajonin.
Me një karrierë të pasur si lojtar, pedagog dhe trajner i licencuar me Shkollën e Lartë të Trajnerëve, kontributi i tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme në sportin kosovar.
Themelimi i KF Kika dhe dekada si lojtar aktiv
Rrugëtimi i tij sportiv lidhet ngushtë me formimin e klubit të futbollit “Kika” në vitin 1974.
Si student i Kulturës Fizike në Prishtinë, Selim Muja, së bashku me iniciatorët e tjerë si Nazif Kastrati, Haqif Biçku (i ndjeri), Shefik Bunjaku, Rexhep Sermaxhaj (i ndjeri), Rexhep Ajvazi e të tjerë, si dhe me përkrahjen e bashkësisë lokale ku kontribuuan Mehmet Sabedini, Jakup Latifi, Vehbi Ferizaj, Ibush Mujaj, Ismet Sermaxhaj, Idriz Mujaj e të tjerë, i dhanë jetë klubit të fshatit Hogosht.
Nën drejtimin e trajnerit të parë Jakup Latifi dhe kryetarit Musa Musliu, sfidat e para ishin të mëdha, pasi ndeshjet luheshin në Kamenicë deri në rregullimin e stadiumit lokal në vitin 1977/78 nga rinia e fshatit.
Muja shërbeu si lojtar aktiv për dhjetë vite të plota (1974–1984), duke qenë shtyllë e ekipit edhe në periudhat e mëvonshme historike.
Në edicionin 1984/85, pasi zunë vendin e parë në Qarkun e Gjilanit, u kualifikuan në play-off për Ligën e Dytë të Kosovës, ku u përballën me Trepçën ’89 (1:0).
Më vonë, në vitin 1992, si pjesëmarrës në Grupin e Ferizajt u kualifikuan me grupet më të mira të Kosovës dhe arritën deri në finale, ku pësuan nga Trepça ’89 pas ekzekutimit të penalltive (5:4).
Të njëjtin sukses me arritjen në finale e përsëritën edhe në vitin 1994 përballë Lirisë së Prizrenit (6:5 po ashtu pas penalltive).
Përkushtimi në arsim dhe zhvillimi i shkollave të futbollit
Pas përfundimit të studimeve, Muja nisi paralelisht karrierën e bujshme si arsimtar i Kulturës Fizike.
Për tri vite punoi në Gjimnazin “Ismail Qemali” në Kamenicë, ku arriti vendin e dytë në volejboll për meshkuj.
Më pas vazhdoi për katër vite në Shkollën Fillore “Fan Noli” në Kamenicë, ku në vitin 1984 u shpall Kampion i Kosovës në basketboll me djemtë.
Nga viti 1985 deri në vitin 1990 punoi në shkollën fillore në Dobërçan, ku në vitet 1986 dhe 1987 u shpall kampion në garat komunale në futboll të vogël.
Nga viti 1990 e deri në pensionimin e tij në vitin 2018, ai shërbeu në Shkollën Fillore “Selami Hallaçi” në Gjilan, ku korri suksese të njëpasnjëshme duke u shpallur kampion komunal, regjional dhe republikan në futboll në vitet 2010, 2012 dhe 2013, si dhe mori pjesë në garat botërore në Itali në vitin 2014.
Përveç punës në arsim, ai ishte pionier në ndërtimin e strukturave të reja sportive. Në periudhën 1992–1995 hapi Shkollën e Futbollit “Shkëndija”, ndërsa në vitin 1993 formoi edhe klubin e futbollit të vogël “Shkëndija” në emër të mësuesve, ku merrnin pjesë në gara të ndryshme.
Në vitin 1995 kaloi te Shkolla e Futbollit “Gjilani”, ku punoi krah kolegëve Kemajl Halimi (i ndjeri), Refik Rexhepaj, Skënder Bunjaku dhe Muhamer Abdullahu.
Pas luftës, në edicionin 2000/2001, si ndihmëstrajner i Musa Selimit, në shtabin teknik të Gjilanit, ku bënin pjesë edhe Refik Rexhepaj e Muhamer Abdullahu, u shpall fitues i Kupës dhe Superkupës së Kosovës.
Aspirata dhe përkushtimi i tij për arsimin dhe sportin kanë lënë edhe një trashëgimi të pasur familjare.
Djali i tij, Premtoni, ka trashëguar profesionin e babait, duke realizuar një karrierë të bujshme si futbollist, ndërsa sot vazhdon këtë rrugëtim me sukses duke drejtuar një shkollë futbolli dhe duke brumosur talentet e rinj.
Çmimet dhe mirënjohjet
Për kontributin e tij shumëvjeçar dhe autoritetin e padiskutueshëm moral e profesional, Selim Muja është lauruar me dhjetëra mirënjohje zyrtare.
Në Kamenicë u shpërblye në vitet 1979 e 1984, si dhe në Dobërçan në vitin 1987. Shoqata e Pedagogëve të Kulturës Fizike në Gjilan, mbështetur në rezultatet e arritura, e nderoi atë në vitet 1992, 1995, 1998, 2010, 2011, 2013 dhe 2014, ndërsa vlerësime mori edhe nga Lidhja e Sporteve të Kosovës.
Po ashtu, në jubileun e 50-vjetorit të KF Kika pranoi mirënjohje nga kryetari i klubit Naim Biçkaj, si dhe u nderua me mirënjohje zyrtare nga Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, dhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Në këtë ditë të veçantë të 73-vjetorit të tij, Selim Muja mbetet një emër i nderuar i sportit dhe arsimit anamoravas, i cili me punën e palodhur, moralin e lartë dhe pasionin e tij vazhdon të mbetet shembull frymëzimi për të gjithë.
Shënim:
Ky tekst nuk mund të kopjohet as të tjetërsohet. Mund të shpërndahet vetëm si link.
Falemnderit për respektimin e etikës së gazetarisë!
Botuesi dhe redaktori: /F.S./
