SPORT / Mërgimtari nga Amerika që zgjohet në orën 5 të mëngjesit për FC Dritën

Largësia gjeografike dhe me mijëra kilometra distancë asnjëherë nuk kanë qenë pengesë për të mbajtur gjallë dashurinë për vendlindjen dhe ekipin e zemrës.

Avni Hasani nga Gjilani, i cili jeton dhe vepron si mërgimtar në Amerikë prej pothuajse tre dekadash, është shembulli tipik i përkushtimit dhe atdhedashurisë.

​Edhe pse ka afro 30 vjet që ndërton jetën e tij përtej Oqeanit Atlantik, ai çdo vit kthehet me mall në Gjilan. Siç shprehet edhe vetë me plot krenari, “si në Gjilan nuk ka askund në botë”.

​Futbolli si passion dhe zgjimi në orën 5 të mëngjesit

​E veçanta e Avniut lidhet ngushtë me pasionin e tij të madh për sportin, e në veçanti për futbollin.

Dashuria për klubin e tij të zemrës, FC Dritën, nuk njeh kufij e as zona orare. Për shkak të dallimit të madh kohor me SHBA-në, ai shpesh zgjohet që në orën 5 të mëngjesit vetëm për të ndjekur ndeshjet e ekipit gjilanas.

​”Këtë e bëj me shumë dëshirë dhe vullnet. Drita është pjesë e zemrës sime dhe me ëndje të madhe i shikoj ndeshjet e saj. Nuk më ikën pothuajse asnjë ndeshje pa e parë,” tregon ai me emocion.

Sapo ka zbarkuar në Gjilan për vizitën e radhës, një nga ndalesat e tij të para ka qenë pikërisht vizita në ambientet e klubit të Dritës, për të hequr një pjesë të mallit të grumbulluar gjatë gjithë vitit.

​Aktiv në fushë edhe në Arizona

​Dashuria e tij për topin e futbollit nuk mbetet vetëm para ekranit. Edhe pse në moshë të mesme, Avniu merret rregullisht me aktivitete sportive.

Në shtetin e Arizonës ku jeton, ai merret me organizimin e ndeshjeve dhe turneve të ndryshme të futbollit, duke mbajtur gjallë frymën sportive dhe lidhjen me komunitetin.

​

Shpërndaj me të tjerët