Banorët e fshatit Stançiq po përballen me vështirësi të shumta si pasojë e infrastrukturës së dëmtuar rrugore. Ndonëse bëhet fjalë për një pikë me rëndësi gjeografike dhe strategjike, e cila shërben si pikë lidhëse mes dy shteteve, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, rrugët e fshatit vazhdojnë të mbeten në gjendje të rënduar.
Sipas banorëve të zonës, sikur të realizoheshin premtimet e dhëna nga Komuna e Gjilanit gjatë fushatave zgjedhore, sot çdo lagje e Stançiqit do të kishte rrugë të asfaltuara dhe infrastrukturë të rregulluar sipas standardeve.
Përkundër gjendjes së vështirë të rrugëve, Stançiqi po shënon një zhvillim të dukshëm në ndërtim.
Në çdo lagje të fshatit ka filluar ngritja e shumë shtëpive dhe vilave të reja, çka tregon për potencialin turistik dhe interesimin e qytetarëve për t’u rikthyer apo investuar në këtë zonë gjeografikisht të rëndësishme.
Banorët kërkojnë nga Komuna e Gjilanit që kjo pikë kufitare dhe vendbanim me perspektivë të mos mbetet në harresë.
Kërkesa e tyre kryesore dhe urgjente drejtuar organit komunal mbetet asfaltimi i rrugëve të dëmtuara, për t’u mundësuar qarkullim të sigurt banorëve, vizitorëve dhe bashkatdhetarëve.
