Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Gjilan ka bërë të ditur se po përcjell nga afër punimet dhe përgatitjet intensive që po zhvillohen në institucionet arsimore të kësaj komune, me qëllim që viti i ri shkollor të nisë me kushte optimale për nxënësit dhe stafit mësimdhënës.
Sipas njoftimit zyrtar, punime të rëndësishme infrastrukturore po realizohen në SHMU „Thimi Mitko“ dhe SHMU „Nazim Hikmet“, ku po punohet në përmirësimin, rregullimin dhe funksionalizimin e hapësirave shkollore. Ndërhyrje të ngjashme po zhvillohen paralelisht edhe në shkolla të tjera në nivel komune.
Nga DKA e Gjilanit kanë theksuar se përgatitja dhe modernizimi i infrastrukturës mbetet një nga prioritetet kryesore, pasi një ambient i sigurt dhe funksional është parakusht për mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Gjithashtu, bëhet e ditur se DKA mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me drejtoritë e shkollave dhe institucionet lokale, t’i përfundojë të gjitha punimet e planifikuara përpara fillimit të vitit të ri shkollor.
