Mëngjeset e dikurshme kishin një ritëm plotësisht tjetër, ku aroma e kafesë së nxehtë gërshetohej natyrshëm me erën e letrës së printuar.
Juristi i diplomuar, ish-futbollisti dhe qytetari i njohur gjilanas, Sali Fazliu, përmes një postimi plot emocione ka kthyer vëmendjen te një ritual i harruar, por i dashur për shumë gjenerata: shfletimi i gazetave ditore dhe plotësimi i fjalëkryqit.
Fazliu ka ndarë me ndjekësit një moment të veçantë nostalgjie, duke treguar se si e nisi ditën pranë një fjalëkryqi të revistës “Horizonti”.
”Ka kohë që nuk e kam filluar ditën kështu, krahas kafesë së mëngjesit me një fjalëkryq! Dikur, mëngjesi kishte një tjetër ritëm. Një kafe e nxehtë, një gazetë ‘Rilindja’ e shtrirë mbi tavolinë dhe fjalëkryqi që të vinte në mendime. Plotësoje një fjalë, ndaleshe te tjetra, kërkoje përgjigjen… dhe pa e kuptuar, kafeja ftohej, ndërsa mëngjesi merrte një kënaqësi të veçantë,” është shprehur ai.
Ai ka vënë në pah se si digjitalizimi dhe vrapimi i kohës moderne na kanë shkëputur nga këto zakone të vogla që i jepnin sharmi ditës.
”Sot, prej kohësh, në Kosovë nuk kemi më gazeta të përditshme si dikur. Teknologjia na i solli lajmet menjëherë, por bashkë me to sikur na mori edhe disa nga ato rituale të vogla që e bënin ditën më të bukur. Kënaqësi e veçantë ishte kur këtë ritual e bënim së bashku me shokë në ndonjërën prej kafiterive modeste në qytet. Ndoshta nuk na mungon vetëm gazeta… na mungon ajo ndjesi e qetësisë, ajo pritje e mëngjesit dhe ai moment kur përpiqesh të gjesh fjalën që të mungon,” ka përmbyllur Fazliu, duke pyetur bashkëqytetarët se a u kujtohet edhe atyre kjo periudhë e artë.
