Ish-nxënësi i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Vatra e Diturisë” në Livoq të Epërm, Bashkim Aliu, ka financuar një projekt prej rreth 3,000 eurosh për rregullimin dhe shtrimin e pllakave në hyrje të shkollës, duke i dhënë një pamje krejtësisht të re dhe më estetike këtij institucioni arsimor.
Drejtori i shkollës, Fadil Musliu, ka shprehur mirënjohjen e thellë në emër të stafit arsimor dhe nxënësve, duke e vlerësuar këtë gjest si një shembull të shkëlqyer të lidhjes dhe përgjegjësisë që ish-nxënësit ruajnë me vatrën e tyre të diturisë.
Sipas drejtorisë, ky investim ishte më se i nevojshëm për përmirësimin e infrastrukturës së shkollës.
Njëkohësisht, udhëheqja e institucionit ka përgëzuar edhe ekipin e punës për përkushtimin, cilësinë dhe profesionalizmin e treguar gjatë realizimit të punimeve brenda afateve kohore.
