SOLIDARITET/Shtohen kontribuesit për renovimin e Xhamisë së Zarbicës

Projekti për renovimin e Xhamisë së Bashkësisë Lokale Zarbicë po vazhdon me hapa të sigurt, i përkrahur nga vullnetmirët dhe aktivistët e Malësisë.

​Në kuadër të mbarëvajtjes së punimeve, javën e kaluar u mbajt një darkë pune ku u diskutuan detajet e organizimit dhe përfshirja e bashkëfshatarëve në realizimin e këtij aksioni me rëndësi fetare e atdhetare.

Takimi u pasurua edhe më shumë me praninë e Prof. Muhamed Dermakut, fjalët dhe përvoja e të cilit shërbyen si motivim i madh për ecurinë e mëtejshme të projektit.

​Interesimi i dashamirëve për të qenë pjesë e këtij hajrati po shtohet dita-ditës. Së fundmi, aksionit i janë bashkuar edhe disa kontribues të rinj nga fshatrat e kësaj nahie, ndërsa një bamirës që ka dëshiruar të mbetet anonim ka marrë përsipër mbulimin e plotë të punimeve dhe materialit elektrik për xhaminë.

​Këshilli organizativ falënderon të gjithë ata që po bëhen pjesë e këtij investimi në Shtëpinë e Zotit dhe apelon te çdo familje që t’i bashkohet këtij vargu bamirësie, për të lënë një amanet të fortë edhe për brezat që do të vijnë.

Shpërndaj me të tjerët