Mbështetja nga figura të njohura politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pozitën e Presidentit të Kosovës po vjen duke u rritur.
Pas letrës së ambasadorit William Walker, edhe ish-kongresmeni amerikan Joseph DioGuardi u ka dërguar një letër të drejtpërdrejtë liderëve të partive politike në Kosovë.
Në letrën drejtuar krerëve politikë, bëhet thirrje e qartë për arritjen e një konsensusi nacional. Ish-kongresmeni republikan nëvizoi se Kosova nuk mund të përballojë më një tjetër cikël të bllokadave institucionale apo çuarjen e vendit në zgjedhje të përsëritura.
Përmes kësaj letre, DioGuardi ka propozuar zyrtarisht emrin e Faton Bislimit për postin e kryetarit të shtetit.
Ai u ka bërë thirrje udhëheqësve të partive politike që ta shqyrtojnë këtë propozim mbi bazën e meritave profesionale e kombëtare, duke lënë anash preferencat politike apo interesat personale.
Me dërgimin e kësaj letre të dytë nga figura me peshë në Uashington, bëhet e qartë se ndikimi dhe përkrahja e personaliteteve amerikane për kandidaturën e Bislimit po merr një dinamikë të re në skenën politike të vendit.
