Drejtori i Hotel Gallery – Thermo Mineral & SPA në Kllokot, Agim Zuzaku, ka takuar dy nga autoritetet më të larta të peshëngritjes ndërkombëtare gjatë zhvillimit të Kampionatit Evropian për të Rinj dhe U15.
Në ambientet e kompleksit, Zuzaku ka pritur Presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes (IWF), Mohammed Jalood, si dhe Presidentin e Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF), Dr. Astrit Hasani.
Përmes një reagimi, ai e ka vlerësuar këtë vizitë si një moment me rëndësi të veçantë për stafin dhe rajonin.
“Nder i veçantë për Hotel Gallery – Thermo Mineral & SPA të mirëpresë Mohammed Jalood, Presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes (IWF), dhe Dr. Astrit Hasani, Presidentin e Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF), gjatë Kampionatit Evropian për të Rinj dhe U15. Krenarë që Hotel Gallery është pjesë e këtij organizimi të rëndësishëm ndërkombëtar, duke kontribuar në mikpritjen e sportistëve, delegacioneve dhe drejtuesve më të lartë të peshëngritjes”, ka deklaruar Zuzaku.
Përfshirja e kapaciteteve hoteliere lokale në ngjarje të këtij niveli konfirmon përgatitjen e Anamoravës për të pritur delegacione të larta sportive.
