Lidhja Demokratike e Kosovës – Dega në Gjilan ka reaguar publikisht ndaj Drejtorisë Komunale të Arsimit, duke ngritur shqetësime serioze për shkelje ligjore në rekrutimin e mësimdhënësve dhe duke u bërë thirrje kandidatëve që të shfrytëzojnë të drejtën e ankesës.
Reagimi i plotë i LDK-së
Alban Hyseni permes DKA PO E THELLON KAOSIN NË REKRUTIMIN E MËSIMDHËNËSVE – SHKELJET PO SHTOHEN, KANDIDATËT MOS HESHTNI PËR TË DREJTAT TUAJA!
Reagimi ynë i fundit nuk ishte pa arsye.
Sot, pas mbajtjes së testit me shkrim, në vend që procesi të qartësohej, janë shfaqur edhe më shumë pikëpyetje serioze për mënyrën se si Drejtoria Komunale e Arsimit, nën drejtimin e Jeton Rexhepit, po e menaxhon këtë proces rekrutimi.
Çështja më e re dhe më shqetësuese është caktimi i Burim Sadikut në krye të Komisionit Përzgjedhës.
Burim Sadiku, sipas kontratës së punës, është sekretar në Gjimnazin “Zenel Hajdini”, ndërsa aktualisht po kryen edhe detyrën Udhëheqës i zyres për punë juridike dhe personel në DKA, në një pozitë për të cilën ende nuk është përfunduar procedura e rregullt e rekrutimit.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja që drejtori Jeton Rexhepi duhet t’i përgjigjet publikisht:
Mbi çfarë baze ligjore është caktuar Burim Sadiku kryetar i Komisionit Përzgjedhës dhe a e plotëson ai kriterin e përcaktuar me Rregulloren QRK Nr. 19/2024 për këtë funksion?
Kjo nuk është çështje personale. Është çështje e ligjshmërisë së një procesi që prek drejtpërdrejt të ardhmen profesionale të dhjetëra e qindra kandidatëve.
Nëse drejtori dhe DKA-ja kanë vepruar në përputhje me ligjin, le t’i publikojnë aktet dhe bazën ligjore.
Nëse jo, atëherë përgjegjësia nuk mund të fshihet pas zyrtarëve administrativë apo pas procedurave të zhvilluara me nxitim.
Dhe një mesazh i veçantë për të gjithë kandidatët:
Mos hiqni dorë nga e drejta juaj.
Nëse mendoni se gjatë këtij procesi janë shkelur të drejtat tuaja, se aplikacioni juaj është trajtuar ndryshe nga të tjerët, se dikush është lejuar të hyjë në test pa i plotësuar kushtet, apo se ka pasur parregullsi në organizimin dhe vlerësimin e procesit, shfrytëzojeni të drejtën tuaj për ankesë brenda afateve ligjore.
Ankesa nuk është pengim i procesit.
Ankesa është e drejtë ligjore dhe instrument për mbrojtjen e meritës dhe barazisë së kandidatëve.
Mos lejoni që nxitimi i DKA-së për ta përfunduar procesin para fillimit të vitit shkollor të bëhet arsye që ju të humbni të drejtën për ta kundërshtuar një vendim apo një veprim procedural.
Kërkoni qasje në dokumentet që ju takojnë, kërkoni arsyetim për vendimet dhe, kur vlerësoni se ju është cenuar e drejta, ankohuni në organet kompetente brenda afatit të përcaktuar.
Nga drejtori Jeton Rexhepi kërkojmë përgjigje të qarta, jo heshtje.
Kush e ka themeluar Komisionin?
Kur është themeluar?
Kush janë anëtarët?
Mbi çfarë baze është caktuar kryetari?
Kush i ka verifikuar kandidatët?
Dhe a është respektuar Rregullorja QRK Nr. 19/2024 në çdo fazë të procesit?
Shkeljet, nëse janë bërë, nuk korrigjohen duke heshtur dhe as duke e çuar procesin me çdo kusht deri në fund.
LDK – Dega në Gjilan do të vazhdojë ta përcjellë këtë proces dhe do të kërkojë përgjegjësi institucionale për çdo veprim që cenon ligjshmërinë, meritën dhe barazinë e kandidatëve.
Kandidatëve u themi: mos heshtni kur mendoni se ju është shkelur e drejta. Dokumentoni, kërkoni sqarime dhe përdorni të drejtën tuaj për ankesë.
Zyra për Marëdhënie me publikun LDK-Gjilan
28.08.2026
