MOTI/Vikendi i fundit i gushtit sjell temperaturat e larta dhe stuhitë e shkurtra

Fundjava e fundit e gushtit sjell mot kryesisht të ngrohtë dhe me diell në të gjithë Kosovën, por me episode të shkurtra stuhish lokale.

​Ditën e së shtunë (29 gusht), pas mëngjesit të freskët me temperatura 12–17°C, dita do të jetë e nxehtë, ku maksimalet do të arrijnë deri në 34°C.

Gjatë pasdites pritet dendësim i vranësirave, të cilat do të sjellin rrebeshe lokale shiu, shkarkime rrufesh dhe erëra të përkohshme të përforcuara.

​Të dielën (30 gusht) rikthehet stabiliteti i plotë. Moti do të jetë kryesisht me diell dhe i ngrohtë, me temperatura që lëvizin nga 12°C në mëngjes deri në 33°C gjatë ditës. Vranësira të pakta mund të paraqiten vetëm rreth zonave malore.

Kujdes nga rrezatimi dhe i nxehti

Indeksi UV do të jetë i lartë (6–8), ndaj këshillohet shmangia e ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell gjatë orëve të mesditës.

Bujqve u rekomandohet monitorimi i lagështisë së tokës dhe ujitja e kulturave sipas nevojës.

​Tendenca tregon se temperaturat e larta do të na shoqërojnë edhe gjatë 10-ditëshit të parë të shtatorit.

Shpërndaj me të tjerët