SIGURI/Gjilani merr pjesë në punëtorinë e AME-së dhe Bankës Botërore për parandalimin e fatkeqësive

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Gjilanit, Enver Shabani, ka marrë pjesë në punëtorinë e organizuar nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), në bashkëpunim me Bankën Botërore. Punëtoria u zhvillua me temën “Përmirësimi i Kuptimit të Rrezikut nga Fatkeqësitë, Parashikimi i Bazuar në Ndikim dhe Paralajmërimi i Hershëm”.

​Aktiviteti kishte për qëllim avancimin e njohurive dhe ngritjen e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse në fushën e menaxhimit të rreziqeve.

Përmes këtij takimi, u synua identifikimi dhe kuptimi më i mirë i rreziqeve, parashikimi i ndikimeve të mundshme, si dhe zhvillimi e forcimi i mekanizmave të paralajmërimit të hershëm.

​Gjatë kësaj punëtorie u diskutua gjerësisht për rëndësinë e një qasjeje të koordinuar ndërinstitucionale në parandalimin dhe zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë.

Po ashtu, u veçua nevoja e domosdoshme për shkëmbimin e informacionit dhe të përvojave ndërmjet institucioneve të nivelit lokal dhe atij qendror.

​Pjesëmarrja e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në aktivitete të tilla kontribuon drejtpërdrejt në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe institucionale, në përmirësimin e gatishmërisë për përballimin e situatave emergjente, si dhe në forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pronës dhe mjedisit.

​Në fund u dakordua se Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet relevante dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim rritjen e sigurisë, parandalimin e rreziqeve dhe forcimin e kapaciteteve për reagim ndaj fatkeqësive.

Shpërndaj me të tjerët