Iniciativa e Arlind Vokshit, qytetarit nga Gjilani i cili po merret me vendosjen e flamujve të UÇK-së nëpër bizneset e gastronomisë në shenjë respekti për çlirimtarët që po mbahen në Hagë, ka sjellë sot një moment mjaft emocional.
Përmes një rrëfimi prekës, Vokshi ka treguar takimin me një të moshuar gjatë vazhdimit të aktivitetit të tij në Gjilan.
Deri sa po vendoste flamurin në një nga lokaliet e qytetit, ai i uroi kafenë një të moshuari të ulur aty, të quajtur Baca Shaban. Pasi kamarieri i shpjegoi të moshuarit rreth iniciativës dhe pranisë së Arlindit, Baca Shaban dha një përgjigje që preku zemrat e të gjithëve:
“Unë me pa nuk mundem, por në zemër e kam flamurin e UÇK-së.”
I moshuari kishte humbur shikimin para dhjetë vitesh, por dashuria dhe respekti i tij për simbolin e UÇK-së mbeteshin të paprekura.
Rrëfimi i plotë nga Arlind Vokshi:
”Ka momente që të ndalin zemrën. Sot, si çdo mëngjes, po vazhdoja iniciativën për vendosjen e Flamurit të UÇK-së në bizneset e Gjilanit. Aty ku po vendosja Flamurin ishte ulur një i moshuar. I thashë: ‘Bac, të bëftë mirë kafja.’
Baca Shaban më falënderoi, ndërsa kamarieri ndërhyri duke i shpjeguar kush jam dhe pse kam ardhur në biznes. Si një zotëri i vërtetë, ai tha: ‘Unë me pa nuk muj, po në zemër e kam flamurin e UÇK-së.’ Baca Shaban e kishte humbur shikimin diku që 10 vite.
Po ju betohem… në atë çast më zuri toka. Nuk munda të flisja. Bëmë një fotografi bashkë, si kujtim i një burri që nuk e sheh flamurin me sy, por e mban përgjithmonë në zemër. Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, ia dhurova Bacës Shaban një Flamur të UÇK-së, që ta mbajë si kujtim në shtëpinë e tij.”
