Një qytetar nga Malësia e Zhegocit e Komunës së Gjilanit ka publikuar disa pamje nga terreni, ku shihen punimet që po zhvillohen për rregullimin e infrastrukturës rrugore në këtë zone.
Përmes një postimi, ai ka përshkruar gjendjen aktuale të punimeve dhe optimizmin e banorëve për përfundimin e tyre: “Boll tollug o ka shkon…, ama shpejt ka me u kthjellue e ka me u z’bukure ky vend..! Nuk ban ndryshe.”
Ky investim konsiderohet si një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në Malësinë e Zhegocit, pas ndërtimit të rrugës kryesore të fshatit gjatë viteve 2022/2023.
Projekti ka një vlerë prej 1.9 milionë eurosh dhe përfshin përgatitjen e infrastrukturës bazë dhe shtrimin e asfaltit në rrugët e gjashtë lagjeve të fshatit.
Lagjet që përfshihen në këtë projekt janë:Lagjja e Zhegocit të Epërm, Lagjja e Bilinicajve, Lagjja e Lahovitëve, Lagjja e Nuhajve, Lagjja e Ibrajve dhe Ibishajve, Lagjja e Spahijve
Ndonëse faza e tanishme e punimeve shoqërohet me pluhur e baltë gjatë realizimit të gërmimeve, me përfundimin e tyre dhe shtrimin e asfaltit pritet të përmirësohet ndjeshëm infrastruktura rrugore dhe pamja e përgjithshme e kësaj zone malore.
