Kryetrajneri i SC Gjilanit, Debatik Curri, ka dalë në një deklaratë për media në prag të përballjes me Ballkanin, sfidë kjo që konsiderohet si derbi kryesor i xhiros në kampionat.
Timonieri i gjilanasve e ka vlerësuar takimin si mjaft të rëndësishëm, derisa ka shprehur besimin se ekipi i tij ka të gjitha kapacitetet për të dalë me pikët e plota nga ky duel.
Sipas Currit, ekipi pritet të tregojë paraqitje të mirë dhe të shfrytëzojë potencialin që zotëron, gjersa ka potencuar edhe rëndësinë e mbështetjes nga tifozët.
”Përballja me Ballkanin është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe padyshim derbi i kësaj xhiroje. Presim që të bëjmë një lojë të mirë dhe llogarisim shumë në mbështetjen e tifozëve tanë. Ekipi ynë ka potencialin e nevojshëm për ta fituar këtë ndeshje,” deklaroi Curri.
Duke analizuar sfidën e kaluar ndaj Malishevës, kreu i shtabit teknik të Gjilanit pranoi se kishte lëshime, por u shpreh i bindur në reagimin e menjëhershëm të grupit.
”Në ndeshjen e fundit kundër Malishevës bëmë disa gabime individuale, mirëpo grupi zotëron kualitetin e duhur për t’u rikthyer shpejt te forma dhe loja jonë e zakonshme. Në takime të tilla kërkohet vëmendje dhe përqendrim maksimal gjatë të gjitha 90 minutave, sepse ekipi që bën më pak gabime në fushë i ka edhe gjasat më të mëdha për të triumfuar,” theksoi ai.
Në përmbyllje, Curri nënvizoi se ndeshjet e mëdha janë ato që mbahen mend gjatë, teksa e vuri theksin te vazhdimësia e kampionatit në këtë fazë përcaktuese.
”Ndeshjet e rëndësishme mbeten gjatë në memorien e futbollistëve dhe tifozëve. Para nesh janë edhe tri sfida shumë të forta e të vështira, ku shpresojmë dhe do të japim maksimumin për të grumbulluar pikët e plota,” përfundoi trajneri i kuqebardhëve.
