Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjilan është pajisur sot me pajisje të reja mjekësore, si rezultat i memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar me projektin AQH (Accessible Quality Healthcare).
Pajisjet e reja mjekësore do t’u lehtësojnë punën e përditshme profesionistëve shëndetësorë, duke mundësuar që QKMF-ja dhe njësitë e saj të ofrojnë shërbime më cilësore, më të sigurta dhe më efikase për të gjithë qytetarët e Gjilanit.
Kjo mbështetje vjen në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për fuqizimin e kujdesit parësor shëndetësor, me qëllim që shërbimet mjekësore të jenë sa më të qasshme dhe me standarde të larta për secilin banor.
Me këtë rast, autoritetet komunale kanë shprehur mirënjohje të thellë ndaj projektit AQH për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e frytshëm në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Komunën e Gjilanit.
