Gjykata Themelore në Gjilan është forcuar sot me një kuadër të ri profesional. Kryetari i këtij institucioni të drejtësisë, Venhar Salihu, ka pritur në një takim zyrtar gjyqtarin Armend Ahmeti, me rastin e marrjes së detyrës së tij të re.
Gjyqtari Ahmeti i bashkohet trupit gjykues në Gjilan pas një përvoje katërvjeçare pune në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku ka shërbyer në trajtimin e lëndëve të ndryshme gjyqësore.
Gjatë takimit pritës, kryetari Salihu i uroi mirëseardhje kolegut të ri dhe i dëshiroi suksese në ushtrimin e përgjegjësive ligjore.
I pari i Gjykatës Themelore në Gjilan shprehu gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të afërt dhe mbështetje të vazhdueshme institucionale.
Në qendër të këtij takimi u vendos edhe rëndësia e rritjes së efikasitetit në punë, ku u theksua se plotësimi i trupit gjykues do të ndikojë drejtpërdrejt në përshpejtimin e procedurave dhe trajtimin më të shpejtë të lëndëve në dobi të qytetarëve.
