Këshilltari komunal i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, Faisil Ademi, i shoqëruar nga shokët e tij Selami Neziri dhe Dushi Bunjaku, ka filluar muajin tetor me një aktivitet të veçantë humanitar e solidari.
Ata kanë vizituar Qendrën e Kujdesit Ditor “Pema” dhe Shoqatën “Down Syndrome Kosova” në Gjilan, dy organizata që ofrojnë shërbime jetike dhe përkujdesje ditore për fëmijët e komunës.
Gjatë kësaj vizite, ata kanë falënderuar stafin për punën e përkushtuar që bëjnë çdo ditë, si dhe janë njoftuar nga afër me nevojat e këtyre institucioneve. Si një kontribut modest, Ademi dhe bashkëpunëtorët e tij u dhuruan këtyre qendrave materiale të nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve me fëmijë, si dhe një sasi uji.
Këshilltari Ademi ka shprehur falënderime të veçanta për mbështetësit që ndihmuan në realizimin e këtij aksioni, përfshirë Ujin “Lajthiza” – Isuf Hajdari, Pemëtarin Valoni në lagjen Arbëria, si dhe Përparim Xhelilin.
Në mbyllje, Ademi theksoi se iniciativa të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim që të jenë sa më pranë atyre që punojnë për të mirën e fëmijëve dhe komunitetit.
