Gjilan, 2 tetor 2026 – Me nismën e piktores gjilanase Jalldeze Mustafa dhe Prof. Hajrush Fazliu, si dhe nën kurimin e artistes nga Shqipëria, Anila Hetoja, në Gjilan do të organizohet edicioni i parë i Kolonisë Ndërkombëtare të Artit me moton “Tetori Rozë – Ngjyrat Shërojnë”.
Ky manifestim me karakter ndërkombëtar vjen si një thirrje për ndërgjegjësim, shpresë dhe solidaritet, duke bashkuar artistë e krijues nga vende e kultura të ndryshme rreth një mesazhi të përbashkët human.
Në kuadër të muajve të ndërgjegjësimit për Tetorin Rozë, organizatorët theksojnë se përmes pikturës dhe komunikimit artistik, ky aktivitet synon të dëshmojë fuqinë shëruese të artit, aftësinë e tij për të afruar njerëzit dhe për të përcjellë optimizëm përballë sfidave të jetës.
Gjilani, si një qytet me traditë të pasur kulturore, hap kështu dyert për bashkëpunimin ndërkombëtar artistik, duke synuar që ky edicion i parë të shërbejë si fillimi i një tradite të përvitshme.
Këshilli organizativ i kësaj ngjarjeje përbëhet nga organizatorja Jalldeze Mustafa, kuratorja Anila Hetoja dhe drejtori i Galerisë së Artit në Gjilan, Din Azizi, të cilët i ftojnë të gjithë artdashësit të bëhen pjesë e këtij manifestimi të veçantë. / dita24h /
