Drejtori i Hotel Gallery në Kllokot, Agim Zuzaku, ka mirëpritur në një vizitë pune kryetarin e Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, dhe kryetarin e Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti.
Vizita kishte për qëllim njohjen nga afër me potencialin turistik, kulturor dhe shëndetësor që ofron komuna e Vitisë.
Gjatë këtij aktiviteti, delegacioni vizitoi pikat më të rëndësishme të zonës në Stubëll dhe Letnicë, ku u shoqërua edhe nga drejtori komunal Leonard Ukaj.
Një ndalesë e veçantë u bë në Shkollën e Parë Shqipe në Kosovë (Kolegji i Shën Lukës) në Stubëll, e cila daton që nga viti 1584 dhe mbetet një monument me vlerë të madhe historike e arsimore.
Delegacioni njohu nga afër edhe traditën lokale përmes vizitës te prodhuesi i rakisë tradicionale, Zef Simoni, si dhe në lokalet “Restaurant Jozefi” dhe “Frankly’s Friends”, ku u prezantua gastronomia dhe mikpritja e zonës.
Kjo vizitë konfirmoi potencialin e Vitisë për të ndërtuar një ofertë të integruar turistike, duke ndërthurur turizmin rural e kulturor me atë shëndetësor, ujërat termo-minerale dhe kapacitetet hoteliere.
Përmes bashkëpunimit dhe promovimit të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë, kjo zonë synon të shndërrohet në një destinacion gjithnjë e më të njohur për vizitorët.
