BASHKËPUNIMI AKADEMIK / Studentët e Universitetit të ZUG-ut nga Zvicra nisin vizitën njëjavore në UKZ
Studentë të Universitetit të ZUG-ut në Zvicër kanë nisur sot një vizitë studimore njëjavore në Universitetin Publik “Kadri Zeka” (UKZ) në Gjilan, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve të arsimit të lartë.
Aktiviteti synon fuqizimin e bashkëpunimit akademik dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet studentëve dhe stafit akademik, me fokus të veçantë në fushën e edukimit dhe mobilitetit studentor.
Studentët zviceranë, të shoqëruar nga kolegët e tyre të UKZ-së, fillimisht u pritën në takim nga u.d. Rektorja e universitetit, Fitore Malaj, e cila theksoi rëndësinë e këtij partneriteti.
“Jemi shumë të lumtur që ju kemi këtu dhe të gatshëm për të vazhduar e zgjeruar këtë partneritet të veçantë. Shpresojmë që gjatë qëndrimit tuaj këtu të ndiheni si në shtëpinë tuaj dhe të keni një përvojë të bukur,” u shpreh u.d. Rektorja Malaj.
Nga ana e tyre, studentët zviceranë shprehën interesimin për t’u njohur nga afër me sistemin arsimor, kulturën dhe historinë e Kosovës.
Gjatë kësaj jave, ata do të vizitojnë shkolla fillore publike e private në Gjilan për të ndjekur nga afër procesin mësimor, si dhe do të jenë pjesë e ligjëratave e prezantimeve tematike në UKZ.
Në kuadër të programit është paraparë edhe një vizitë në Zyrën e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, si dhe ekskursione në disa nga lokacionet më të rëndësishme historike e kulturore të Kosovës, si në Prekaz, Pejë, Ujëvarën e Drinit të Bardhë dhe Prizren.
Vizita do të përmbyllet me një sesion reflektimi për të identifikuar ide të reja për bashkëpunim të mëtejshëm. / dita24h /
