SHËNDETËSI/Në Gjilan organizohet marsh sensibilizues kundër kancerit të gjirit

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, në bashkëpunim me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), organizon marshin sensibilizues në kuadër të fushatës për ndërgjegjësimin dhe luftën kundër kancerit të gjirit.

​Aktiviteti do të mbahet të martën, më 6 tetor 2026, ku grumbullimi i pjesëmarrësve do të bëhet në orën 12:00 para Teatrit të Qytetit.

​Nga Teatri i Qytetit, marshi sensibilizues do të vazhdojë drejt objektit të QKMF-së.

Pas përfundimit të marshit, në Qendrën e Trajnimeve (kati i dytë i QKMF-së), do të bëhet hapja zyrtare e fushatës sensibilizuese me mesazhe kyçe për parandalimin, kontrollet e rregullta dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.

​Kjo fushatë synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të inkurajojë çdo grua që të kujdeset për shëndetin e saj.

​Nën moton “Diagnostikimi i hershëm shpëton jetë”, organizatorët u bëjnë thirrje qytetarëve të bashkohen në këtë marsh dhe të ecin së bashku për të përcjellë një mesazh që shpëton jetë. / dita24h /

Shpërndaj me të tjerët