ARSIM/Studentët e Universitetit të ZUG-ut nga Zvicra nisin vizitën njëjavore në UKZ

BASHKËPUNIMI AKADEMIK / Studentët e Universitetit të ZUG-ut nga Zvicra nisin vizitën njëjavore në UKZ

​Studentë të Universitetit të ZUG-ut në Zvicër kanë nisur sot një vizitë studimore njëjavore në Universitetin Publik “Kadri Zeka” (UKZ) në Gjilan, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve të arsimit të lartë.

​Aktiviteti synon fuqizimin e bashkëpunimit akademik dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet studentëve dhe stafit akademik, me fokus të veçantë në fushën e edukimit dhe mobilitetit studentor.

​Studentët zviceranë, të shoqëruar nga kolegët e tyre të UKZ-së, fillimisht u pritën në takim nga u.d. Rektorja e universitetit, Fitore Malaj, e cila theksoi rëndësinë e këtij partneriteti.

​“Jemi shumë të lumtur që ju kemi këtu dhe të gatshëm për të vazhduar e zgjeruar këtë partneritet të veçantë. Shpresojmë që gjatë qëndrimit tuaj këtu të ndiheni si në shtëpinë tuaj dhe të keni një përvojë të bukur,” u shpreh u.d. Rektorja Malaj.

​Nga ana e tyre, studentët zviceranë shprehën interesimin për t’u njohur nga afër me sistemin arsimor, kulturën dhe historinë e Kosovës.

Gjatë kësaj jave, ata do të vizitojnë shkolla fillore publike e private në Gjilan për të ndjekur nga afër procesin mësimor, si dhe do të jenë pjesë e ligjëratave e prezantimeve tematike në UKZ.

​Në kuadër të programit është paraparë edhe një vizitë në Zyrën e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, si dhe ekskursione në disa nga lokacionet më të rëndësishme historike e kulturore të Kosovës, si në Prekaz, Pejë, Ujëvarën e Drinit të Bardhë dhe Prizren.

Vizita do të përmbyllet me një sesion reflektimi për të identifikuar ide të reja për bashkëpunim të mëtejshëm. / dita24h /

Shpërndaj me të tjerët