SPORT/Kryetari Hyseni pret KV Drita pas trofeut të 29-të dhe premton mbështetje të fuqishme

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur sot në një takim zyrtar trajnerin e KV Drita, Lorik Idrizi, dhe volejbollistet e ekipit, pas suksesit të tyre më të fundit në arenën vendore.

​Me këtë rast, kreu i komunitetit gjilanas ka përgëzuar klubin për triumfin e radhës, duke nëvizuar ecurinë impresive të këtij kolektivi sportiv.

​”Drita sapo ka shënuar një tjetër arritje të madhe duke fituar Superkupën e 5-të, që shënon trofeun e 29-të në sirtarin e saj të pasur. Sot pritëm trajnerin e KV Drita, Lorik Idrizi dhe volejbollistët e ekipit, me të cilët biseduam për sukseset e jashtëzakonshme dhe të njëpasnjëshme të klubit tonë të zemrës”, ka deklaruar kryetari Hyseni.

​Ai ka vlerësuar lart vazhdimësinë e rezultateve të klubit gjatë dekadës së fundit.

​”Që nga viti 2014 e deri më sot, ky klub ka dëshmuar dominim të plotë e profesionalizëm, duke mos u ndalur asnjëherë në rrugëtimin drejt majave të sportit, ku vetëm gjatë vitit 2026 kanë arritur të sigurojnë dy kupa të rëndësishme”, është shprehur ai.

​Kryetari Hyseni ka konfirmuar mbështetjen e vazhdueshme institucionale për sfidat që e presin klubin në garat ndërkombëtare, si dhe ka dhënë detaje rreth investimeve në infrastrukturën sportive në qytet.

​”Klubit i uruam rrugëtim të mbarë dhe shumë suksese në përfaqësimin e radhës në Kupën Ballkanike. Vajzat dhe djemtë tanë po e lartësojnë emrin e Gjilanit në arenën ndërkombëtare, andaj mbështetja jonë nuk do të mungojë asnjëherë. Në këtë drejtim, diskutuam edhe për ecurinë e punimeve në Sallën e Sporteve, e cila po shkon drejt përfundimit. Shumë shpejt, sportistët tanë do ta kenë në dispozicion një shtëpi të re e moderne me infrastrukturën e duhur që e meritojnë për të vazhduar me suksese e trofe të tjerë. Suksese KV Drita! Gjilani krenohet me ju!”, ka përfunduar Hyseni. / dita24h /

Shpërndaj me të tjerët