Gjilan, 4 tetor 2026 – Udhëtimi në botën e matematikës për Prof. Dr. Ekrem Halimin nga fshati Nasalcë e Bujanocit nuk lindi si një zgjedhje e rastësishme apo e kalkuluar.
Ajo u shfaq që në moshë të hershme si një kureshtje e natyrshme ndaj strukturës, rregullsisë dhe harmonisë që fshihet pas numrave.
Me kalimin e viteve, kjo kureshtje u shndërrua në një pasion të thellë, veçanërisht kur kuptoi se përmes aparatit matematik mund t’u jepet zgjidhje edhe problemeve më të ndërlikuara.
Eleganca e logjikës deduktive, saktësia e arsyetimit dhe kënaqësia e zbulimit e bënë ta dojë matematikën jo vetëm si disiplinë akademike, por edhe si një gjuhë universale të njohjes.
Bazat e arsimimit dhe ngritja akademike në Tiranë
Rrugëtimi i tij arsimor nisi në vendlindje, në fshatin Nasalcë, ku përfundoi shkollimin fillor, për të vazhduar më pas shkollimin e mesëm në Bujanoc, ku u formua më tej prirja e tij për shkencat e sakta.
Ky interesim e orientoi drejt studive universitare në Universitetin e Tiranës, ku përfundoi studimet katërvjeçare në Matematikë në vitin 2004.
Po në të njëjtin universitet vazhdoi studimet e nivelit të dytë në programin Analizë dhe Ekuacione Diferenciale, duke e thelluar formimin në fushat e matematikës së avancuar dhe duke marrë gradën magjistër në vitin 2009.
Ky përkushtim u kurorëzua në vitin 2015 me mbrojtjen e doktoratës dhe marrjen e gradës shkencore Doktor në Analizë dhe Algjebër në Universitetin e Tiranës.
Mentorët që udhëhoqën rrugën e kërkimit shkencor
Në këtë rrugëtim formues, një rol të veçantë patën mësuesit dhe udhëheqësit e tij shkencorë. Themelet e dashurisë për shkencën u hodhën falë përkushtimit të Inxhinierit të Diplomuar Zejni Fejazullahut dhe Prof. Dr. Xhevdet Thaqit, të cilët ushqyen tek ai respektin për konceptet themelore, disiplinën akademike dhe saktësinë shkencore.
Më vonë, gjatë studimit të problemeve më komplekse në fushën e analizës matematikore dhe teorisë së konvergjencës, një meritë e veçantë i takoi profesorit Prof. Dr. Naim Braha, i cili me përvojën dhe vizionin e tij shkencor e orientoi kërkimin e tij drejt niveleve më të larta akademike.
Përvoja në mësimdhënie dhe kontributi në UKZ
Përvoja e Prof. Dr. Ekrem Halimit në mësimdhënie shtrihet në disa institucione të arsimit të lartë në rajon, ndër të cilat Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren.
Pjesa kryesore e veprimtarisë së tij akademike është zhvilluar në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.
Aktualisht, si Profesor Doktor në UKZ, ai ligjëron lëndën Matematika për Mësimin e Makinave (Machine Learning) në nivelin Master, ndërsa në nivelin Bachelor ligjëron lëndët Matematika 1, Matematika 2, Probabiliteti dhe Statistika, si dhe Teoria e Grafeve.
Krahas ligjërimit dhe kërkimit shkencor, ai ka kontribuar edhe në drejtimin institucional të universitetit, duke ushtruar detyrën e Prodekanit deri më 1 tetor 2026.
Kërkimi shkencor, bashkëpunimet ndërkombëtare dhe botimet
Veprimtaria e tij kërkimore-shkencore është e përqendruar kryesisht në teorinë e përmbledhshmërisë, konvergjencën statistikore dhe teorinë e operatorëve pozitivë.
Gjatë viteve ka botuar dhjetëra punime shkencore në revista ndërkombëtare të indeksuara në databaza prestigjioze si Scopus, Web of Science (WoS) dhe MathSciNet.
Gjithashtu, ai është autor i dy monografive dhe një libri shkencor.
Kërkimi i tij ka marrë vlerë të veçantë nga bashkëpunimi me profesorë e studiues me reputacion të lartë vendor e ndërkombëtar, si H. M. Srivastava, Bipan Hazarika, Xhevdet Thaqi, Penpark Sirimark (Mahanin), Faruk Özger etj., me punime të botuara në revista të njohura si Bulletin des Sciences Mathématiques, Symmetry dhe Mathematics (MDPI).
Mirënjohjet akademike dhe rrjetëzimi global
Përkushtimi i tij ndaj shkencës është vlerësuar lart nga komuniteti akademik. Në vitin 2022, Prof. Dr. Ekrem Halimi u nderua me çmimin “Hulumtuesi më i mirë i vitit” në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.
Një dimension tjetër me rëndësi i veprimtarisë së tij është pjesëmarrja e vazhdueshme në konferenca, kongrese dhe takime shkencore ndërkombëtare në vende të ndryshme të botës, ku ka prezantuar rezultatet e punës kërkimore dhe ka ndërtuar ura bashkëpunimi me studiues nga institucionet më të njohura globale.
Sot, rrugëtimi i Prof. Dr. Ekrem Halimit mbetet një shembull frymëzues i përkushtimit dhe pasionit për diturinë.
Përveç se si një profesionist i shquar dhe i devotshëm në punën e tij shkencore e pedagogjike, ai vlerësohet lart nga koleget dhe studentët edhe për cilësitë e tij njerëzore, si një njeri i sinqertë, i dashur, komunikues, bashkëpunues dhe mjaft modest.
Nga një fillim modest në shkollën e fshatit Nasalcë, me punë të palodhshme dhe konsistencë akademike, ai ka ndërtuar një karrierë model në arsimin e lartë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në përgatitjen e gjeneratave të reja dhe
