KULTURË/Publicisti Ismet Rashiti dhuron 110 ekzemplarë të librit “Revolta e Syzifit” për bibliotekat shkollore në Viti

 Zëvendëskryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, ka pritur sot në një takim publicistin dhe gazetarin e njohur Ismet Rashiti, i cili në emër të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ka dhuruar 110 ekzemplarë të librit “Revolta e Syzifit”, me autor Bardhyl Mahmutin.

​Kjo vepër është botuar në përkujtim të viktimave të gjenocidit të kryer në fshatin Poklek gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke dokumentuar ngjarje dhe dëshmi të rëndësishme historike.

Gjatë takimit, Rashiti e njoftoi zëvendëskryetarin Aliu mbi vizitën e tij të fundit në Muzeun e Familjes Muçolli në Poklek, duke ndarë rrëfime prekëse nga historia e kësaj familjeje.

​Sipas Rashitit, ky botim ka një rëndësi të veçantë për t’u shpërndarë te brezat e rinj, në mënyrë që nxënësit të njihen nga afër me të kaluarën dhe dëshmitë e luftës në Kosovë.

​110 ekzemplarët e këtij libri i janë dorëzuar zyrtarisht Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe Shoqatës së Krijuesve dhe Shkrimtarëve “Ramadan Musliu”, prej nga do të shpërndahen në të gjitha bibliotekat e shkollave të Komunës së Vitisë.

​Nga ana e tij, zëvendëskryetari Hasan Aliu e falënderoi publicistin Ismet Rashiti për këtë donacion të çmuar, duke theksuar rëndësinë e madhe që ka pasurimi i bibliotekave shkollore me libra që ruajnë kujtesën historike dhe dokumentojnë krimet e pushtetit serb gjatë luftës.

Shpërndaj me të tjerët