Shkolla e Muzikës në Gjilan ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e saj të thellë ndaj KFOR-it Italian, e në veçanti ndaj Regjimentit të Karabinierëve MSU, për mbështetjen e çmuar dhe donacionet e ofruara për këtë institucion arsimor e kulturor.
Përmes dhurimit të pajisjeve për studio muzikore dhe instrumenteve dixhitale, Regjimenti i Karabinierëve MSU ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në pasurimin e kushteve të punës dhe mësimit në këtë shkollë.
Drejtori i Shkollës së Muzikës, Kushtrim Jakupi, ka vlerësuar se ky kontribut përfaqëson një investim të drejtpërdrejtë në arsim, art dhe në të ardhmen e gjeneratave të reja.
“Pajisjet dhe instrumentet e dhuruara do t’u mundësojnë nxënësve dhe mësimdhënësve tanë të zhvillojnë më tej procesin edukativo-artistik, të eksplorojnë mundësi të reja krijuese dhe të avancojnë përgatitjen e tyre muzikore. Muzika ndërton ura mes njerëzve dhe kulturave, ndaj mbështetja ndaj arsimit muzikor është mbështetje për talentin, përkushtimin dhe ëndrrat e të rinjve tanë,” ka deklaruar drejtori Jakupi.
Drejtoria e shkollës e ka cilësuar këtë donacion si një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit, respektit dhe përkushtimit ndaj komunitetit e zhvillimit të arsimit dhe kulturës në qytetin e Gjilanit.
