Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan (UKZ) dhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) kanë organizuar Forumin Ekonomik të Anamoravës 2026.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore, krerët e komunave të rajonit, drejtues biznesesh, pjesëtarë të diasporës si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.
Gjatë hapjes së forumit, Rektorja e UKZ-së, Fitore Malaj, vuri në pah se zhvillimi ekonomik bazohet mbi të gjitha te njerëzit, dija, arsimi dhe inovacioni, duke e cilësuar bashkëpunimin mes universitetit, komunave dhe bizneseve si thelbësor.
“Duhet të jemi në gjendje të themi: këtu ka treg, ka njerëz, ka dije, ka mundësi dhe ka potencial për rritje. Kur interesi i rajonit për zhvillim përputhet me interesin e biznesit për fitim, atëherë krijojmë bazën për investime të rëndësishme. Qëllimi duhet të jetë që Anamorava të mos shihet vetëm si një rajon që kërkor investime, por si një rajon që ofron mundësi reale për investitorët,” u shpreh Rektorja Malaj, duke nëvizuar edhe rolin e diasporës si partnere për investime, teknologji e dije.
Nga ana e tij, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, theksoi se Anamorava gëzon potencial të madh investues në sektorët e prodhimit, agrobiznesit, turizmit e energjisë, ku partneriteti publik-privat mbetet kyç për krijimin e vendeve të reja të punës.
Rëndësinë e kapitalit njerëzor dhe rolin e UKZ-së si urë lidhëse mes arsimit dhe ekonomisë e vlerësuan edhe përfaqësuesit e Ministrive përkatëse të Qeverisë së Kosovës.
Pjesë e forumit ishin edhe nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arianit Sadiku, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, si dhe kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, të cilët shpalosën përparësitë investuese të komunave të tyre.
Ndërkaq, potencialin e gjithanshëm të rajonit e prezantoi Dekani i Fakultetit Ekonomik në UKZ, Xhevat Sopi.
Punimet vazhduan me një panel diskutimi mbi projektet konkrete zhvillimore, të kryesuar nga Prorektori i UKZ-së, Nexhat Shkodra, ndërsa në përmbyllje u zhvilluan takime direkte B2B ndërmjet studentëve, bizneseve, diasporës dhe institucioneve lokale.
Aktiviteti u realizua në kuadër të projektit HOME, nga Caritas Zvicër me financim të Qeverisë së Principatës së Lihtenshtajnit, si dhe me mbështetjen e Vali Ranch Resort dhe PriBank.
