Pas një karriere të gjatë dhe të bujshme në fushën e arsimit dhe edukimit artistik, sot, më 8 tetor, është pensionuar profesori i Pikturës, Ramadan Arifi.
Me këtë rast, në Shkollën e Mesme të Arteve Pamore “Adem Kastrati” në Gjilan u organizua një takim solemn ku morën pjesë kolegë, bashkëpunëtorë dhe miq të tij.
Drejtori i shkollës, Roland Masurica, vlerësoi lart kontributin e profesorit, duke theksuar se pensionimi është momenti kur mësimdhënësi sheh gjurmët e lëna gjatë rrugës.
”Profesor Ramadan Arifi, përveçse ka lënë gjurmë në arsim, ka lënë gjurmë edhe përmes krijimtarisë së tij artistike. Ju keni qenë pjesë e një brezi të mësuesve dhe artistëve që e kanë mbajtur gjallë traditën e arsimit artistik në Gjilan,” u shpreh Masurica.
Fjalën e morën edhe kolegët Izeir Hyda, Rasim Vllasaliu, Rexhep Bunjaku dhe Muhamedali Rexhepi, të cilët çmuan lart punën e tij në edukimin e brezave.
Nga ana e tij, profesori Arifi falënderoi të pranishmit, duke pranuar se ishte mjaft i emocionuar nga ky vlerësim. Në përmbyllje, kolektivi i shkollës i ndau atij një mirënjohje dhe dhurata simbolike.
Biografi e shkurtër
Ramadan Arifi u lind më 8 tetor 1961, në Bilinicë të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në Bilinicë e Pogragjë, ndërsa të mesmen në gjimnazin “Zenel Hajdini”. Studimet e Fakultetit të Arteve në drejtimin e Pikturës i kreu nën udhëheqjen e prof. Tahir Emra, ndërsa ato të nivelit Master nën mentorimin e prof. Nagip Berisha.
Rrugëtimin në arsim e nisi nga viti 1987 deri më 1993 në shkollën fillore “Liria” në Pogragjë.
Më 16 janar 2018 iu bashkua kolektivit të Shkollës së Mesme të Arteve Pamore “Adem Kastrati” në Gjilan, ku shërbeu si profesor i Pikturës deri në përmbylljen e karrierës së tij si veteran i arsimit. / dita24h /
