Drita rikthehet pas pauzës së Kombëtareve, pret sonte Malishevën në Gjilan
Pas një pauze trijavore të të gjithë Albi Mall Superligës, e shkaktuar nga ndeshjet e përfaqësueseve në Ligën e Kombeve, skuadra e Dritës rikthehet sonte në fushën e lojës, ku nga ora 18:00 do të jetë nikoqire e Malishevës.
Sfida pritet të jetë mjaft e vështirë për të dyja palët. Sidoqoftë, bardhekaltrit synojnë të arkëtojnë tre pikët e radhës për të vazhduar ecurinë pozitive pas fitores si mysafir ndaj Dukagjinit.
Kundërshtari i sotëm, Malisheva, mbetet një arrë e fortë, gjë që e dëshmon edhe pozita e saj e lartë në tabelën e klasifikimit.
Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka bërë të ditur se pret një përballje të fortë, me intensitet të lartë dhe mjaft konkurruese.
“Unë besoj te grupi i lojtarëve tanë. Do të përpiqemi të organizojmë lojën sa më mirë. Kemi shfrytëzuar këtë pauzë trijavore dhe e kemi të qartë se çfarë duhet bërë si kur e kemi topin ne, ashtu edhe kur e ka kundërshtari. Meqë ndeshjen e luajmë në shtëpi, presim një numër të madh shikuesish. Skuadra jonë do të tregojë autoritet në fushë dhe që nga minuta e parë do të kërkojmë fitoren,” është shprehur Nuhiu para kësaj sfide.
Malisheva aktualisht mban pozitën e dytë në tabelë me 16 pikë (5 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje), ndërsa Drita renditet në vendin e katërt me 11 pikë (3 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje), por me një ndeshje më pak të zhvilluar./ dita24h /
