Kushtrim Kadriu, i biri i ish-burgosurit politik Nijazi Kadriu, ka publikuar një pjesë me vlerë të veçantë historike nga Monografia e Gjilanit, të shkruar nga babai i tij.
Ky shkrim autorial sjell një dëshmi të fuqishme dokumentuese mbi përpjekjet, sakrificën dhe rezistencën e pashme të arsimit shqip në Gjilan gjatë viteve ’90, përballë represionit të egër të regjimit serb.
Teksti i plotë autorial i Nijazi Kadriut:
Arsimi në Gjilan 1990 – 1999: Rezistenca e Shkollës Shqipe
Procesi i diferencimit dhe i ngulfatjes së arsimit shqip në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar mori dimensione të reja, ndërsa vazhdonte burgosja, shantazhi dhe tendenca e ndryshimit të plan-programeve; në veçanti e atyre që eliminonin elementin nacional shqiptar, si pjesë e përpjekjeve të Serbisë për aneksim të përgjithshëm të Kosovës dhe zhdukjen e faktorit shqiptar.
Përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të minimizuar rolin e shkollës shqipe, asnjëherë nuk patën sukses. Si rezultat, pushteti fashist e humb ekuilibrin, dhe tani më nuk zgjedh mjete për të realizuar Projektet e proklamuara kaherë kundrejt shqiptarëve. Në këtë mënyrë zhvillimet e mëtutjeshme sjellin unifikimin e shqiptarëve për idealin e lirisë, ndërsa arsimi dhe shkolla shqipe bëhen bazament i fuqishëm proteste, organizimi e kundërshtimi njëkohësisht.
Akti Makabër i Helmimit të Nxënësve
Pas tendencave që me mashtrime e metoda të tjera të frikësimit, nëpërmjet burgosjes e izolimit, vrasjeve e dhunës, respektivisht pas mossuksesit që me këto metoda të imponohet sistemi arsimor serb në Kosovë, fillon vala e re e paparë në botën moderne; vala e demonstrimit të mjeteve më barbare për realizimin e këtyre aspiratave.
Kështu, më 21 mars 1989, në qytetin e Klinës filloi helmimi i nxënësve shqiptarë dhe vazhdoi deri më 6 dhjetor 1990, kur në Mitrovicë helmohen nxënësit e mjekësisë.
Sipas të dhënave të deritanishme janë identifikuar 7.421 qytetarë të helmuar, por supozohet se ky numër duhet të jetë mbi 7.600 të helmuar.
Më 22 mars 1990, ndaj nxënësve shqiptarë, ndaj fëmijëve që ende shijonin pranverat e ëndrrave, regjimi fashisoid serb, nëpërmjet Shërbimit Sekret të tij, vë në funksion helmin “Sarin” në 13 qytete të Kosovës, pra edhe në qytetin e Gjilanit, duke provuar që më në fund të mposht rininë shqiptare, dhe kështu të realizojë planet e tij.
Sigurisht efekti ishte krejt i kundërt. Ataku me helm ndikoi edhe më shumë në unifikimin dhe organizimin e shqiptarëve për të kundërshtuar planet aneksioniste të Serbisë.
Materia “Sarin” e eksperimentuar në nxënësit shqiptarë, sipas ekspertëve ishte toksinë që prekte sistemin nervor dhe e çrregullonte atë, ndërsa shkaktonte edhe sterilitet te femrat në rast se ndërhyrja nuk ishte e shpejtë.
Pas aktit makabër të helmimit, u zhvillua një luftë e ashpër mediatike e propagandistike, ku Serbia jo vetëm që mohonte veprimin, po e vlerësonte atë si propagandë e aktrim të shkëlqyer të shqiptarëve, respektivisht të të rinjve shqiptarë, derisa raporti i Shoqatës “Mjekët pa Kufij” e vërtetonte decidivisht se në Kosovë ka pasur helmim të nxënësve shqiptarë me këtë lloj helmi të përdorur nga ushtria jugosllave, raport ky i nënshkruar nga Dr. Bernard Kushner, kryetar i Shoqatës Mjekët pa Kufij, dhe të cilit kjo i kushtoi hiq më pak se me largim nga posti i Ministrit të Shëndetësisë në Francë. Akti i tillë, mbështetur në Konventat ndërkombëtare ishte akt gjenocidal, prandaj meqë Serbia kishte lidhje të mira me diplomacitë perëndimore u tentua që ky rast të minimizohet për motive politike, madje shkoi deri atje sa të humbin mostrat e të helmuarve.
Nga 22 marsi e deri në maj u identifikuan më se 6.000 nxënës të helmuar, kryesisht të gjinisë femrore, ndërsa vetëm në shkollat e Gjilanit më 22 mars 1990, ishin helmuar 263 nxënës shqiptarë, kryesisht vajza, ku më rëndë paraqiteshin: Hydajete Hajrullahu – Kumanovë, Iliriana Vranja – Dardanë, Bukurie Ibrahimi – Kumanovë, Nafie Dërmaku – Shipashnicë, Teutë Osmani – Ohër, Afërditë Basha – Hodonoc, Teutë Ibrahimi – Kumanovë, Selvete Morina – Hodonoc, Luljetë Zeqiri, Jalldyze Bunjaku, Vesel Demi, Ismet Beqiri, Luljetë Kosumi, Lumnije Morina.
Helmimet vazhdojnë edhe ditëve tjera, kështu që numri i të helmuarve në komunën e Gjilanit arrin në 444 të identifikuar. Sa i përket numrit të të helmuarve sipas institucioneve në komunën e Gjilanit, në Shkollën Fillore “Abaz Ajeti” u identifikuan 83 të helmuar (18.7%), në Shkollën e Mesme “Boro e Ramizi” 128 të helmuar (28.8%), në Shkollën e Mesme “Zenel Hajdini” 145 të helmuar (32.6%), në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Skënderbeu” 17 të helmuar (3.8%), si dhe 71 të helmuar nga institucione të tjera (16.0%), që çon në një total prej 444 personash të identifikuar.
Helmimi i nxënësve ndodhi pas protestave e demonstratave të të rinjve shqiptarë, në fillim të nëntëdhjetave, ku pati më se 36 të vrarë në gjithë Kosovën e disa prej tyre edhe në Gjilan, ndërsa akti i helmimit solli edhe një valë tjetër protestash, më 28 mars 1990, duke ndarë përfundimisht rrugët e Serbisë me Kosovën, respektivisht rrugët e serbëve me shqiptarët.
Akti i helmimit paraqiti një situatë të jashtëzakonshme, të paparë në Gjilan e më gjerë, që solli angazhimin e gjithë popullit, ndërsa përkushtimi i personelit mjekësor ishte i jashtëzakonshëm, edhe pse në rrethana teknike e me mjete të pamjaftueshme për t’u ardhur në ndihmë të helmuarve.
Shënohej kështu edhe një dështim i Serbisë, ndonëse me pasoja për rininë tonë, dhe tani pushtuesit i mbetej arma e fundit e arsenalit të tij mizor në luftën kundër Shkollës kombëtare të shqiptarëve në Kosovë. Nga pasojat e helmit lotësjellës që u hodh në protestuesit shqiptarë gjatë muajit mars të vitit 1990 në Gjilan, më 16 prill vdes i riu Vesel Demi.
Shtëpitë – Shkolla
Pas largimit nga institucionet shkollore; dëbimit të shqiptarëve nga to, lindën shtëpitë – shkolla, të falura nga populli për t’u kthyer në lokale mësimi për brezat e rinj shqiptarë, të cilëve pa të drejtë iu mohua shkollimi dhe shfrytëzimi i objekteve shkollore, që i kishin ndërtuar vetë. Mirëpo, falë vetëdijes kombëtare, në ngritjen e së cilës kishin investuar edhe veteranët e arsimit, kjo krizë u përballua, ndonëse jo me sukses të plotë, sepse të gjitha nivelet e arsimit e vazhduan punën në kushte tepër të vështira. Edhe gjatë kësaj periudhe arsimtarët shqiptarë, që punuan pa paga të rregullta, e dhanë provimin e vet me sukses.
Akti i paparë i largimit nga shkolla dhe kalimi në shtëpi-shkolla zhvillohet me një skenar që definitivisht zbulon planet e barbarisë serbe.
Pasi organet e dhunshme serbe më parë nuk kishin lejuar nxënësit dhe arsimtarët shqiptarë të hyjnë në lokalet e Gjimnazit, më 15 gusht 35 arsimtarë hyjnë në sallë, të cilëve u drejtohet Radmilla Sharac, drejtoreshë, e cila lexon një urdhëresë për punëtorët shqiptarë: “ata që punojnë duhet t’i njohin planprogramet e Republikës së Serbisë, në të kundërtën do të largohen nga procesi mësimor”.
Më 21 gusht në mbledhjen e Këshillit u vendos që të mbahen provimet si dhe të regjistrohen nxënësit në vitin e parë.
Më 26 gusht 1991 organet e dhunshme si dhe forcat policore serbe nuk i lejuan arsimtarët dhe nxënësit të hyjnë në shkollë. “Pas një ore qëndrese në oborr të shkollës, arritëm të hyjmë në sallë të arsimtarëve. Afër dhe brenda shkollës qëndronte një numër i madh i policëve serbë. Nuk vonoi shumë, në sallë erdhi Radmilla Sharac dhe na u drejtua me këto fjalë: -Kolege, napustite shkolu!”. Më 29 gusht në derë të shkollës vendoset lista me emrat e 18 arsimtarëve të larguar. Për paralelet shqipe të Gjimnazit zgjidhet drejtor Rexhep Murati, ndërsa zëvendës Mursel Jashari. Atë ditë edhe në Qendrën Teknike policia i largoi arsimtarët shqiptarë nga objekti shkollor. Po këtë ditë është mbajtur një mbledhje e Këshillit të Arsimtarëve në lokalet e Shkollës Fillore “Selami Hallaçi” të qytetit, ku u mor vendim që arsimi shqip të shkëputet njëherë e përgjithmonë nga organet e dhunshme serbe.
Viti shkollor 1991/92 ishte vendosur të fillonte më 1 shtator, por organet e dhunshme serbe nuk lejuan dhe afati u shty për 1 tetor. Në datën e caktuar para shkollës tubohen nxënës, arsimtarë, prindër e studentë. Në oborrin e shkollës protestohet ndaj policëve, nxënësve dhe arsimtarëve serbë, të cilët nuk lejonin zhvillimin e mësimit të nxënësve shqiptarë në objektet shkollore duke i ofenduar dhe gjuajtur me gurë, shishe e sende tjera.
Të ndodhur në pozitë edhe më të vështirë, aktivistë, prindër e nxënës u mobilizuan edhe kësaj radhe dhe për një kohë të shkurtër shumë qytetarë ofruan shtëpitë e tyre për t’i adaptuar në shkolla që të vazhdojë procesi mësimor me planprogramet në gjuhën shqipe. Ky proces kërkonte angazhimin e Ministrisë së Arsimit, arsimtarëve, nxënësve dhe vetë prindërve kudo në Kosovë, pra edhe në komunën e Gjilanit.
Numri i saktë i shtëpive – shkolla nuk dihet për faktin se pronarët e këtyre shkollave ndiqeshin dhe kërcënoheshin nga pushteti i atëhershëm. Një pjesë e këtyre shtëpive kishte shërbyer një kohë të shkurtër për shkaqe sigurie, pasi që duhej t’u ndërrohej vendi kur kishte të dhëna se përcillej nga sigurimi. Në shumë raste vetë nxënësit e një klase caktonin shtëpinë, ku do të mbahej mësimi dhe të nesërmen e merrnin arsimtarin dhe e dërgonin në vendin e caktuar. Njerëzit kompetentë të Drejtorisë së Arsimit lidhur me këtë periudhë deklarojnë se nuk posedojnë të dhënat e asaj kohe, duke u arsyetuar se dy-tri herë i kanë konfiskuar organet e sigurimit. Gjithashtu edhe në arkivin e qytetit nuk gjenden të dhënat e tilla.
Ndonëse ishte një ndër lagjet më të varfra, lagjja Kodra e Dëshmorëve (atëherë Popovica) ndër të parat u paraqit vullnetarisht që të sigurojë shtëpitë – shkolla për cilëndo shkollë të qytetit. Falë angazhimit dhe organizimit të mirë në këtë lagje u vendos shkolla e mesme “Boro e Ramizi”, së cilës Këshilli i profesorëve vendosi t’ia ndërrojë emrin në “Arbëria”. “Në sigurimin e lokaleve për mësim na ndihmuan edhe aktivistët e lagjeve. Shkollës sonë ia kishin caktuar BL 2, të qytetit, e njohur si nëndega më aktive. Kryetari i kësaj nëndege, Xhymshit Osmani dhe veprimtari Hetem Kosumi, kishin siguruar 18 lokale për mësim dhe zyrën për drejtori në shtëpinë e Naser Morinës. Nga këtu mësimdhënësit shpërndaheshin sipas orarit nëpër shtëpitë ku mbahej mësimi”. Dhe kështu, kur përpjekjet për t’u rikthyer në shkolla dështuan, kur u pengua mësimi në objektet shkollore, populli diti të organizohet dhe mësimin e zhvilloi nëpër shtëpi private për të mos humbur vitin shkollor.
Musa Neziri, tash i ndjerë, pranoi në shtëpinë e tij që të jetë një lloj drejtorie për shpërndarjen e ditarëve të punës. U caktuan lokalet private shtëpi-shkollë, ku do të mbahet procesi mësimor. Nxënësit shqiptarë e filluan mësimin nëpër oda, podrume, garazhe e dhoma të tjera. U caktuan familjet ku do të mbahet mësimi nga një javë. Javën tjetër nxënësit dilnin në udhëkryq dhe i merrnin profesorët dhe i dërgonin aty ku gjendej shtëpia-shkollë. Kështu, në Zhegër, më tepër se dhjetë vite u mbajt mësimi nëpër shtëpi private. Derisa në çdo mes mësimi u mbajt nën kulmet e shkollave fillore, këtu organet e dhunshme serbe nuk lejuan nxënësit shqiptarë të mësojnë në shkollën fillore. Dhe, kur shpërtheu lufta (1999), pothuaj, të gjitha lokalet, ku është mbajtur mësimi u dogjën nga paramilitarët dhe vendësit serbë. Shumë pronarë të shtëpive – shkolla janë torturuar nga organet e dhunshme serbe.
Një nga ata që e pësoi keq ishte edhe Musa Neziri, profesor i edukatës fizike në Gjimnazin e Gjilanit. Ai, duke parë se nxënësit u larguan nga objektet e tyre shkollore, ndër të parët e lëshoi shtëpinë e tij për nevojat e arsimtarëve të Gjimnazit. Nga shtëpia e tij u shpërndanë ditarët e punës. Sipas Tefik Selimit, Musa Neziri nga dhuna e presioni që pati nga organet e sigurimit, vdiq në moshën 45-vjeçare, më 28 korrik të vitit 1993.
Arsimtarët në vazhdimësi u ndihmuan nga populli. Pagat, edhe pse ishin simbolike, i merrnin rregullisht.
Përkundër vështirësive e mungesës së kushteve elementare që mësimi të organizohej normalisht, prapëseprapë asnjë shkollë në fillim të nëntëdhjetave nuk e ndërpreu mësimin edhe pse shumica prej tyre vazhdonin në shtëpi – shkolla, me përjashtim të “Abaz Ajetit”, “Musa Zajmit” e ndonjë tjetër ku ishin grumbulluar disa shkolla fillore e të mesme në një shkollë të vetme. Në këto rrethana të jashtëzakonshme, madje, me vendimin e organeve drejtuese arsimore të atëhershme themelohet Shkolla fillore “Rexhep Elmazi”, si shkollë e pestë fillore në qytetin e Gjilanit, që përfshinte nxënësit e Dheut të Bardhë, respektivisht nxënësit që deri në këtë kohë zhvillonin mësimin kryesisht në Shkollën fillore “Selami Hallaçi”, ndërsa pastaj duke parë rrethanat dhe nevojat e domosdoshme që i shtroheshin shoqërisë së Gjilanit dhe rrethinës themelohet edhe Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Dr. Asllan Elezi”, më 1994, e cila fillimisht kishte vetëm tri paralele, ndërsa në vitin shkollor 1998/99, numëronte 27 paralele, disa prej tyre në Pozheran dhe në Dardanë.
Shtëpitë që ishin funksionalizuar si shkolla gjatë kësaj periudhe, gjatë luftës së fundit (1999), kryesisht ishin djegur, veçanërisht ato që shërbyen si mësonjëtore për gjimnazistët e Zhegrës.
Sigurisht vendosmëria për t’u bërë ballë sfidave mbështetej në organizimin e tërësishëm të popullit në Kosovë, e njohur si rezistencë aktive paqësore, dhe atëherë kur kjo rezistencë nuk korri rezultatet e pritura, populli përsëri gjeti fuqi për t’u përballur me dhunën dhe armikun, dhe kësisoji krijoi UÇK-në, forcën që i dha fund vuajtjes e qëndresës së shqiptarëve, e në veçanti mbylli përfundimisht ciklin e përsëritur të dhunës serbe.
Sigurisht lufta për liri edhe në Gjilan nuk shpëtoi pa goditur rëndë edhe ata që direkt ishin lidhur me procesin edukativo – arsimor.
Si rezultat i angazhimit për lirinë ranë heroikisht edhe mësimdhënësit: Sahit Baftiu, Hanumshahe Abdullahu, Tefik Zymberi, Njazi Osmani, nxënësit Kastriot Baftiu nga Zhegoci, tani të gjithë dëshmorë, si dhe nxënësi Adem Salihu nga Malisheva.
/ dita24h /
