TRAGJEDI/Dy të vrarë e një i plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Livoç të Ulët

GJILAN, 9 tetor 2026 — Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot Komunën e Gjilanit, ku si pasojë e të të shtënave me armë zjarri kanë mbetur të vdekur dy persona dhe një tjetër ka pësuar lëndime të rënda trupore. Incidenti tragjik ka ndodhur pasditen e së premtes në fshatin Livoç i Ulët.

​Rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës, e cila njoftoi se sot, më 9 tetor 2026, rreth orës 14:25, Stacioni Policor në Gjilan ka pranuar informatën e parë për të shtëna me armë zjarri në këtë lokalitet.

​Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, si dhe dy prokurorë të Shtetit.

Me të arritur në vendngjarje, zyrtarët kanë konstatuar se brenda një automjeti gjendej pa shenja jete një mashkull i moshës rreth 30-vjeçare, i vrarë me armë zjarri.

​Ndërkohë, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit është sjellë pa shenja jete edhe një femër, po ashtu e moshës rreth 30-vjeçare, e cila dyshohet se është vrarë nga i njëjti person.

​Nga ky incident ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, i cili pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në Emergjencën e Spitalit të Gjilanit, është transferuar me urgjencë për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

​Sipas informatave të para nga organet e rendit, dyshohet se mes të dyshuarit dhe viktimave ekziston një lidhje familjare.

Deri në këtë fazë të hetimeve, motivi që ka çuar në këtë ngjarje të rëndë mbetet ende i panjohur.

​Personi i dyshuar për kryerjen e këtij krimi është vetëdorëzuar në polici, ndërsa gjatë veprimeve hetimore është sekuestruar edhe arma e zjarrit, e cila dyshohet se është përdorur në rast.

​Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë e hetimit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave, përcaktimit të motivit dhe dokumentimit të tërësishëm të rastit./dita24h /

Shpërndaj me të tjerët