SHËNDETËSI/Përfundojnë investimet infrastrukturore në Spitalin e Gjilanit, inspektohet edhe Pediatria e re

​Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Elvir Azizi, ka vizituar sot Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, ku është njoftuar nga afër me përfundimin e punimeve infrastrukturore-rrugore dhe përmirësimet e realizuara në hapësirat e këtij institucioni shëndetësor.

​Gjatë kësaj vizite, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr. Afrim Cana, bëri të ditur se këto investime kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të punës për stafin shëndetësor, lehtësimin e qasjes për pacientët, si dhe krijimin e një ambienti më funksional, përfshirë edhe zgjerimin e hapësirave për parkim të veturave.

Dr. Cana shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të SHSKUK-së në realizimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në modernizimin e spitalit.

​Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Elvir Azizi, vlerësoi lart angazhimin e përbashkët institucional për avancimin e shërbimeve shëndetësore.

Ai nënvizoi se përfundimi i këtyre punimeve infrastrukturore përbën një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një ambienti më funksional e bashkëkohor për pacientët dhe personelin mjekësor.

​Gjatë qëndrimit në Gjilan, drejtuesit e SHSKUK-së dhe të Spitalit të Përgjithshëm inspektuan nga afër edhe ecurinë e punimeve që po vazhdojnë në objektin e ri të Pediatrisë.

Ky projekt i rëndësishëm synon ngritjen e standardeve të trajtimit për pacientët e rinj dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore në ambiente moderne e me pajisje bashkëkohore. / dita24h /

Shpërndaj me të tjerët