Tri institucione arsimore në Gjilan – Gjimnazi shoqëror “Zenel Hajdini”, IAAP “Marin Barleti” si dhe ShFMU “Selami Hallaçi”, janë bërë përfituese të një donacioni të rëndësishëm me inventar dhe pajisje shkollore.
Ky kontribut u sigurua nga një shkollë në Cyrih të Zvicrës, falë angazhimit të bashkatdhetarit Agon Behluli, i cili është i lindur dhe i rritur në Zvicër.
Pakoja e donacionit përfshin banka dhe karrige shkollore, kompjuterë, printerë si dhe pajisje të tjera të nevojshme për përmirësimin e kushteve të punës dhe të mësimit për nxënësit e këtyre shkollave.
Edhe kësaj radhe, bashkatdhetarët tanë dëshmojnë se lidhja me vendlindjen dhe kujdesi për të ardhmen e fëmijëve tanë mbeten të fortë.
Kontributi i tyre është një mbështetje mjaft e rëndësishme për arsimin lokal dhe një tjetër dëshmi e solidaritetit që na bashkon, pavarësisht largësisë.
Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan e ka vlerësuar lart këtë gjest, duke shprehur falënderime të përzemërta për Agon Behluli për mbështetjen e dhënë, e cila konfirmon edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet diasporës dhe vendlindjes.
