Qyteti i Gjilanit priti këtë të dielë një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive të vitit, edicionin e sivjetmë të “Gjilani Half Marathon 2026”.
Me pjesëmarrjen e më shumë se 300 atletëve dhe vrapuesve nga vende të ndryshme të botës, Gjilani u shndërrua në një epiqendër entuziazmi, tolerance dhe energjie pozitive.
Pavarësisht kushteve atmosferike me shi, gara u zhvillua sipas të gjitha standardeve organizative, duke dëshmuar pjekurinë logjistike të qytetit për të menaxhuar aktivitete të këtij niveli ndërkombëtar.Promovimi i sportit dhe imazhit ndërkombëtar
Përveç karakterit garues, kjo gjysmëmaratonë kishte për qëllim promovimin e stilit të shëndetshëm të jetesës, bashkëpunimit ndërnjerëzor dhe lartësimin e imazhit të Kosovës në arenën sportive ndërkombëtare.
Në një deklaratë pas përmbylljes së garës, Organizatori Kryesor i ngjarjes vlerësoi lart përkushtimin e të gjithë aktorëve të përfshirë:
“Për mua ishte një kënaqësi dhe përgjegjësi e veçantë realizimi i këtij aktiviteti. Sot e dëshmuam se Gjilani ka potencialin të organizojë ngjarje që bashkojnë njerëz përtej kufijve, gjuhëve dhe kulturave.
Sot nuk bëmë vetëm një garë vrapimi, por hodhëm bazat e një tradite të fuqishme sportive për qytetin tonë.”
Mbarëvajtja e këtij aktiviteti u mundësua falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet organizatorëve, vullnetarëve, institucioneve mbështetëse dhe sektorit privat.
Në mesin e sponzorëve që mbështetën këtë iniciativë radhiten: Prime Gym, Walltec, Hotel Gallery, Kameleon, Ujë Dea, BeActive, Ice Power, Redbull, U2, Alfa Qeramika, Darda Sig, B2b Company, Kimi Caffe and Cake House, Jaffa Plus si dhe Flexograf. Mbështetja mediale e ngjarjes iu besua Radio Star Gjilan.
Organizatorët shprehën zotimin se “Gjilani Half Marathon” do të vazhdojë të rritet nga viti në vit, me synimin për t’u shndërruar në një pikëtakim tradicional për atletët nga mbarë bota.
