SPORT/Gjenerata 1974/75 e ‘Farkës’ bashkohet pas gjysmë shekulli dhe nderon ish-trajnerin Fahredin Sherifi

Një kohë e një mot, sa një jetë e tërë! Pas gjysmë shekulli prej se si fëmijë nisën rrugëtimin e tyre sportiv e njerëzor, anëtarët e gjeneratës 1974/75 janë bërë sërish bashkë.

Asokohe plot ëndrra e ambicie, ndërsa sot plot evokime, kujtime e mbi të gjitha përplot mburrje për shtigjet që kaluan dhe gjurmët që lanë në futboll.

​Kjo gjeneratë e artë dhe revolucionare u mblodh me të njëjtin besim e respekt për njëri-tjetrin dhe me dashuri për udhërrëfyesin e prijësin e tyre, trajnerin Fahredin Sherifi – Farko.

Në një takim plot emocione, ata nderuan e falënderuan mësuesin e tyre për përkushtimin ndaj një gjenerate që mbetet shembull për brezat në vijim.

​Fahredin Sherifi ishte njeriu që kërkonte që lojën në fushë ta shndërronin në art përmes figurave gjeometrike, duke mbjellë besimin se brenda garës e shpirtit sportiv lindin gjithmonë vlera e virtute njerëzore, dhe se shkathtësitë fizike të ndërthurura me mendjen e intelektin ndërtojnë unin dhe karakterin e një personaliteti.

I tillë ishte dhe mbeti ‘Farka’, sepse ai synonte gjithmonë perfeksionizmin.

​Në këtë takim të veçantë u bënë bashkë Rabit Matoshi, Tajar Hoxha, Agim Ramizi, Xhelal Jetishi, Besnik Xhinolli, Mehmet Shaqiri, Naser Bunjaku, Mustafë E. Hyseni, Refik Morina dhe Nehat Osmani, për t’i shprehur admirimin jetësor njeriut që i çmonte si fëmijët e tij e ata e konsideronin si prind.

​”Falemnderit Farko!”, ka shkruar me emocione Nehat Osmani në emër të gjithë gjeneratës, duke përmbledhur mirënjohjen e thellë për trajnerin që la gjurmë të pashlyeshme në jetën e tyre sportive e njerëzore. / dita24h /

Shpërndaj me të tjerët